Nga Maringlen ZHIVANI
Në kohët e sotme ekzistojnë ende figura që për ta Vllaznia është fryma e tyre. Një ndër to padyshim është Tuti Rrahmani, tifozi i famshëm shkodran, legjenda e tifozërisë që nuk njeh as kufij, as kohë dhe as lodhje për Vllazninë. Tuti është një ikonë, është ai që i dha zë tribunës kur zëri mungonte, ai që ngriu jashtë stadiumeve kur nuk kishte biletë, ai që udhëtoi me çfarë t’i dilte në xhep, shpesh me borxhe, vetëm për të mos e lënë Vllazninë vetëm.
Ai që nuk e ndalën as shkopinjtë e gomës, as gazrat lotsjellës, por as gjykimet e kohës. Tuti është një shkodran i vërtetë, që ka përherë një qëllim, të jetë aty ku është Vllaznia, në fushë dhe jashtë saj. Ndeshja e fundit me Daugavpils, Tutin nuk e gjeti në Shkodër, por ishte prezent në Letoni.
Me flamurin kuqeblu në duar dhe duke bërë tifozllëk me shpirt siç di vetëm ai, ngriti lart tribunën në një stadium të huaj, duke mahnitur edhe vetë tifozët vendas, që panë jo thjesht një spektator, por edhe një njeri të përkushtuar pas një skuadre. Një njeri që jo vetëm që e do futbollin, por e jeton si fe atë. Tuti Rrahmani është një legjendë e tifozërisë shkodranë padyshim.
Një provë që dëshmon se dashuria për një klub mund të jetë më e fortë se çdo interes, teksa ndonjëherë dinjiteti i një qyteti shpesh flet nëpërmjet figurave si ai. Në një vend ku shpesh harrojmë të vlerësojmë ata që meritojnë më shumë, Tuti Rrahmani meriton jo vetëm duartrokitje, por edhe nderim.
Ai nuk ka kërkuar kurrë asgjë, por përkundrazi ka dhënë gjithçka dhe vazhdon të japë. Jetofsh sa malet Tuti Rrahmani dhe paç shëndet ta shikosh sa më shpesh Vllazninë kampione, ashtu siç e meriton ti, jo si spektator, por si pjesë e saj e pandashme, sepse historia e këtij klubi nuk mund të shkruhet pa ty.(www.shkodrasport.com)