HomeFUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREU dëmtua me kombëtaren U21 ndaj Zvicrës, ende e paqartë situata me...

U dëmtua me kombëtaren U21 ndaj Zvicrës, ende e paqartë situata me portierin Aron Jukaj

Në pragndeshjen me Partizanin, stafi teknik i Vllaznisë ka marrë një lajm jo të mirë. Portieri Aron Jukaj u dëmtua në minutat e fundit të ndeshjes miqësore të kombëtares U21 ndaj Zvicrës dhe u largua para kohe nga fusha e lojës.

Ka ndodhur pikërisht në minutën e 81-të kur Zvicra shënoi dhe golin e fitores. Topi i goditur me kokë nga njëri prej futbollistëve vendas, u përplas fillimisht në shtyllë dhe Jukaj në tentativë për ta larguar atë, është përplasur me shpatull në shtyllë, ndërkohë që topi hasi në shpinën e tij dhe përfundoi në rrjetë.

Momenti i përplasjes duket se i ka krijuar atij probleme dhe si rrjedhojë është detyruar të lërë fushën. Aron Jukaj pritet të kthehet sot në Shkodër dhe sigurisht që menjëherë do të bëhen edhe ekzaminimet e duhura për të parë nëse ka diçka shqetësuese apo jo.

Ai e ka nisur si titullar këtë kampionat duke e mbrojtur portën e Vllaznisë në dy javët e para dhe ka treguar një formë të mirë. Aq sa edhe stafi i kombëtares U21 ia besoi portën në dy miqësoret e rëndësishme ndaj Gjermanisë dhe Zvicrës.

Tashmë mbetet për t’u parë nëse do të jetë i gatshëm për sfidën e fundjavës ndaj Partizanit, ndërkohë që në pritje të momentit të tij është edhe portieri gjerman Leon Pohls.(www.shkodrasport.com)

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments