Alban Xhaferi ka folur para ndeshjes që Vllaznia do të luajë me Vikingur. Sfida është e vlefshme për turin e dytë të Ligës së Konferencës dhe e para do të luhet në “Loro Boriçi”, të enjten ora 20:30.
Xhaferi ka konfirmuar se Klinti Qato do të mungojë për shkak dëmtimi. Kështu kuqeblutë duhet të bëjnë pa të në Shkodër. Mesfushori pësoi një dëmtim gjatë pjesës së parë të ndeshjes në Letoni dhe u detyrua të largohej nga fusha para kohe sepse pati probleme muskulare.
“I kemi bërë të gjitha përgatitjet për mbrëmjen e së enjtes. Ekipi besoj se është në momentin e tij më të mirë, duke pasur parasysh edhe entuziazmin e kalimit të turit. Kemi një frymë pozitive në ekip. Forma e lojtarëve është e mirë, përveç Qatos, i cili do të na mungojë në këtë ndeshje.
Pjesa tjetër e lojtarëve besoj se do të jetë prezent në dispozicion të trajnerit dhe i premtojmë të gjithë opinionit shkodran, që përveç atmosferës fantastike që do të jetë në shtëpinë tonë ‘Loro Boriçi’, do të bëjmë më të mirën dhe maksimumin tonë. Besoj se do të jetë një spektakël atë natë”, u shpreh Xhaferi për “RTSH Shkodra”.