Nga Maringlen ZHIVANI
Angjelo Radovani do ta vijojë karrierën e tij tek Prizreni. Sulmuesi, i cili është produkt i Akademisë Vllaznia, i është bashkuar ekipit kosovar në Ligën e Parë, me synimin për të dhënë maksimumin dhe për të ndihmuar klubin drejt objektivave të tij.
Ky është një hap i ri për Radovanin në rrugëtimin e tij sportiv, pasi më parë ai nuk ka luajtur asnjëherë në Kosovë. Pas një sezoni të mirë në Kategorinë e Dytë me Delvinën, për 24-vjeçarin kishte interes nga disa klube, por ai ka zgjedhur të provojë një eksperiencë të re jashtë Shqipërisë.
Radovani është një produkt i futbollit shkodran dhe ka qenë pjesë e Vllaznisë, por ka luajtur edhe me ekipe të tjera si Veleçiku dhe Besëlidhja.
Po ashtu, përveç tyre, Radovani ka qenë pjesë edhe e Besës së Kavajës, Luftëtarit dhe Erzenit, ku ka spikatur me gola vendimtarë dhe me paraqitje të shkëlqyera. Transferimi në Kosovë shihet si një mundësi e mirë për të bërë hapin e radhës në karrierën e tij.