Besëlidhja e basketbollit për meshkuj e ka kurorëzuar në mënyrën më të mirë të mundshme sezonin 2024-2025 duke bërë të vetin edhe trofeun më të rëndësishëm, atë të titullit kampion. Ditën e djeshme ka fituar edhe finalen e tretë ndaj Teutës dhe në fund ka shpërthyer festa në kampin lezhjan.

Një gëzim mëse i ligjshëm sepse këtë sezon skuadra e Besëlidhjes ka fituar edhe trofeun e Kupës së Shqipërisë dhe të Superkupës. Dhe me tre trofe “në sirtar” kuptohet që të gjithë janë të lumtur. Basketbolli i meshkujve në Shqipëri për momentin ka një kryefjalë: BESËLIDHJA. Ajo ka koleksionuar me sukses edhe titullin e dytë kampion rradhazi, por duket se nuk kanë ndër mend të ndalen këtu.

Një gjë e tillë është bërë e ditur nga vetë trajneri i këtij ekipi, shkodrani Afrim Bilali, i cili në një prononcim të dhënë pas suksesit të djeshëm është shprehur:

“Çfarë të them unë? Që jam i lumtur dhe që kemi fituar tre trofe? Të them që jemi ekipi më i mirë në Shqipëri? Jemi, e vërtetuam, falë punës, falë mbështetjes, falë gjithçkaje që kemi bërë deri sot. Njerëzit shohin vetëm majen e ajsbergut, por ne jemi pjesa poshtë e tij dhe jam shumë i lumtur për punën që kemi bërë dhe ju siguroj që ky është vetëm fillimi për Besëlidhjen”.(www.shkodrasport.com)