Nga Maringlen ZHIVANI

98-çiklistë, përfaqësues të 14-ekipeve ndërkombëtare, mes të cilëve edhe Kombëtarja kuqezi, nisën pedalimin në kuadrin e Turit të 82-të Çiklistik të Shqipërisë. Etapa e parë ishte ajo me itinerar Tiranë-Milot-Rrëshen-Milot-Lezhë-Shkodër.

Në finish, i pari mbërriti çiklisti i Kombëtares së Shqipërisë, Gabriele De Fabritiis, i cili e përshkroi etapën e parë Tiranë-Shkodër me kohën tre orë, dy minuta dhe 57-sekonda, duke lënë në vend të dytë hollandezin Otter me dy sekonda më shumë. Çiklisti De Fabritiis u shpreh i lumtur për këtë sukses, ndërsa tha se fitoren ia dedikon gjyshit shqiptar dhe atij italian.

“Jam shumë i lumtur që fitova këtë etapë të parë. Ishte e vështirë për të marrë finishin. Gjithsesi, arrita që të jem i pari. Kam pretendime për ta fituar këtë tur. Këtë fitore ia dedikoj gjyshërve të mi, gjyshit shqiptar dhe gjyshit italian.

Unë jam rritur në Itali. Babai është italian dhe mami shqiptare. Kam qenë për pushime shumë herë në Shqipëri dhe më pëlqen ky vend”,-u shpreh çiklisti i Kombëtares së Shqipërisë, Gabriele De Fabritiis.