Esat Mala ishte sërish protagonist për Vllazninë në ndeshjet e Conference League. Mesfushori gjeti golin e dytë radhazi në kompeticionet europiane, duke u dhuruar kuqebluve fitoren 2- 1 ndaj Vikingurit.

Për mediat 26-vjeçari ka folur pikërisht për këtë sukses të shkodranëve. Ndër të tjera, ai u ndal edhe te performanca individuale apo edhe ndeshja e kthimit në Islandë, ku theksoi se asgjë s’ka përfunduar dhe se skuadra duhet të jetë me këmbë në tokë për duelin e javës tjetër.

Mala, gol dhe fitore, i lumtur besoj?

Jashtëzakonisht shumë i lumtur, jo vetëm unë, por e gjithë skuadra. Mendoj se zhvilluam një ndeshje shumë të mirë të gjithë dhe merituam suksesin. Jam i kënaqur po ashtu për golin, pasi vijon forma e mirë, por më shumë për fitoren e skuadrës. Megjithatë, s’kemi bërë ende asgjë dhe duhet të jemi me këmbë në tokë për ndeshjen e kthimit në Islandë pas një jave.

Tashmë një “goleador”, duket se po merrni në dorë fatet e Vllaznisë?

Ndoshta ka qenë faktor edhe fati që kam shënuar kaq shpesh këtë kohë. Por, e rëndësishme është se golat e mi kanë ndihmuar skuadrën dhe patjetër dëshiroj që të shënoj sa më shumë për realizimin e objektivave të skuadrës dhe klubit.