Nga Maringlen ZHIVANI
Merkatoja verore në Shkodër ka qenë ndër më aktivet në Superiore dhe padyshim më e veçanta për shkodranët vitet e fundit. Nëntë lojtarë të rinj janë zyrtarizuar si afrime të skuadrës, duke krijuar një situatë ku ekipi duket pothuajse i rindërtuar nga e para. Në fushë, kjo përkthehet në një formacion tërësisht të ri.
Nga njëra anë, këto investime janë tregues i ambicieve që klubi dhe drejtuesit kanë për sezonin e ri, ku synojnë të jenë konkurrues në çdo front dhe të kenë rezultate sa më të larta. Megjithatë, këto afrime nuk janë pa kosto, pasi trajneri Martini ka tani një detyrë të vështirë përpara, pikërisht të bashkojë në një skuadër lojtarët e vjetër dhe të rinj, të krijojë ekuilibra dhe të ndërtojë harmoninë që kërkon niveli i Superiores.
Në mbrojtje, Aleksandër Kuro, Elmando Gjini dhe Esin Hakaj janë emrat e rinj që i shtohen skuadrës, duke e bërë mbrojtjen një repart me fizionomi krejt tjetër. Afrimi i tyre në këtë merkato tregon qartë se drejtuesit e klubit kanë dashur të forcojnë ndjeshëm linjën e fundit të skuadrës. Martini do të duhet të gjejë formacionin ideal që garanton siguri dhe stabilitet.
Në këtë proçes, koha do të jetë faktor vendimtar. Një mbrojtje e re kërkon ndeshje për të krijuar automatizma dhe për të kuptuar reagimet e ndërsjella në situata loje. Ky është një proçes që nuk përshpejtohet dot vetëm me stërvitje, pasi prova e vërtetë bëhet në fushë. Në mesfushë, afrimi i Cristian Dros është cilësor, pasi bëhet fjalë për një repart që gjithmonë ka qenë kyç për lojën e Vllaznisë.
Po ashtu, përveç Dros, janë shtuar edhe emra të rinj dhe me peshë, siç janë Edon Murataj dhe Sherif Kallaku, pasi rëndësia e tyre është shumë e madhe. Mesfusha është ura që lidh mbrojtjen me sulmin dhe çdo ndryshim këtu ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si ekipi funksionon. Martini duhet të përcaktojë rolin e saktë të këtyre futbollistëve, të gjejë mënyrën më të mirë për t’i integruar ata në sistem dhe të krijojë balancën e duhur me lojtarët e tjerë.
Pjesa më e madhe e afrimeve kanë ardhur në fazën e sulmit. Bismark Charles dhe Lirim Kastrati i janë bashkuar skuadrës për të shtuar fuqi goditëse, shpejtësi dhe alternativa në sulm. Këta lojtarë të rinj në këtë repart do të thotë më shumë zgjedhje për trajnerin, por edhe më shumë dilema për formacionin titullar. Martini duhet të gjejë kombinimet më efikase, të përcaktojë rolet e secilit lojtar dhe të krijojë një fazë ofensive që jo vetëm shënon gola, por edhe funksionon si një mekanizëm i mirëkoordinuar.(www.shkodrasport.com)