Nga Maringlen ZHIVANI

Pas fitores me rezultatin 2-1 në ndeshjen e parë në Shkodër, Vllaznia është shumë pranë një kualifikimi historik në arenën europiane. Megjithatë, të gjithë në Shkodër e dinë mirë se asgjë nuk ka përfunduar. Sfida e kthimit ndaj Vikingur Reykjavik është vendimtare dhe për të kaluar më tej, do të kërkohet të ruhet qetësia, përqendrimi dhe sidomos avantazhi i ndërtuar me shumë kujdes në ndeshjen e parë.

Nën/kampionët e Shqipërisë e kanë provuar se dinë të fitojnë jashtë, por eksperienca e deritanishme europiane tregon qartë një të metë që nuk mund të injorohet. Vllaznia ka pësuar gjithmonë gol dhe kjo gjë, për fatin e tyre të keq ka rezultuar pothuajse në të gjitha rastet fatale, sepse shkodranët vitet e tjera në fund kanë dalë të eliminuar.

Në këto ndeshje europiane, Vllaznia nuk ka arritur ende të mbyllë një ndeshje pa pësuar gol. Ky fakt i përsëritur ka bërë që edhe stafi teknik, me në krye trajnerin Edi Martini, të jetë tepër i kujdesshëm në ndërtimin e strategjisë për sfidën ndaj Vikingur Reykjavik. Në Shkodër, si në sezonin e kaluar, por edhe këtë verë, përballjet e kthimit kanë qenë të vështira dhe plot presion. Vllaznia është gjendur shpesh në vështirësi, veçanërisht në fazën mbrojtëse.

Shembulli më i freskët mbetet në Letoni me Daugavpils, ku skuadra në ndeshjen e dytë, pësoi dy gola brenda pak minutash. Ky është edhe shqetësimi më i madh i trajnerit Edi Martini në prag të sfidës me Vikingur Reykjavik. Ai e di mirë që një gol i pësuar mund të ndryshojë gjithçka dhe të rihapë takimi. Prandaj, gjithë fokusi i përgatitjeve të fundit ka qenë te qëndrueshmëria mbrojtëse dhe te menaxhimi i pjesës së parë, që është parë si momenti kyç i ndeshjes.

Plani i Vllaznisë është i qartë, që pjesa e parë duhet të mbyllet pa pësuar gol. Kjo do të ulë presionin, do të dobësojë psikologjikisht Vikingurin dhe do të sjellë më shumë siguri në rradhët e skuadrës. Për këtë arsye, pritet që shkodranët të mos rrezikojnë shumë në minutat e para, duke u përqendruar te mbajtja e topit, kontrolli i ritmit dhe mbrojtja e organizuar.

Një pjesë e parë pa gola do të ishte një sinjal shumë i fortë për Vikingurin dhe do të shërbente si bazë ideale për të kërkuar më vonë goditjen përfundimtare. Në këtë aspekt, rolin më të rëndësishëm pritet ta kenë mbrojtësit qendrorë, portieri Pohls dhe mesfushorët me prirje mbrojtëse, që duhet të sigurojnë filtrimin e çdo aksioni të Vikingurit.(www.shkodrasport.com)