Nga Endri ÇINARI
Vllaznia i është rikthyer stërvitjeve të zakonshme ditën e martë pas dy ditëve pushim. Shkodranët në këtë mënyrë kanë nisur javën e përgatitjeve “anti-Tirana”. Me klasiken që hap vitin 2025 për të dy ekipet, që do kërkojnë ta nisin me një rezultat pozitiv. Ajo se çfarë u vu re në kthimin e kuqebluve është se grupi i futbollistëve është thuajse totalisht i kompletuar.
Të gjithë futbollistët që kanë pasur probleme fizike në javët e shkuara kanë marrë ngarkesën e plotë fizike. Nga titullarët i vetmi që ka munguar dhe që nuk do jetë i gatshëm për ndeshjen me Tiranën është Kristi Qarri.
Gardiani i cili mungoi edhe në ndeshjen e fundit të vitit 2024 kundër Partizanit, duket se ka një shqetësim fizik më të rëndë se sa u parashikua në fillim. Me Aron Jukajn që pritet të jetë sërish në katërkëndorin e skuadrës kuqeblu.
E ndërsa pjesa tjetër e skuadrës pritet të jetë e plotë dhe do pritet se cilët do jenë titullarët që do prezantohen në ndeshjen e parë për vitin 2025. Ku tashmë grupi i futbollistëve të Vllaznisë është më i plotë se asnjëherë deri në këto momente të edicionit./www.shkodrasport.com/