Në ndeshjen e turit të parë të Conference League, për shkak të një “gjullurdie” mes klubit Vllaznia dhe bashkisë Shkodër, 9 herë kampionët e vendit tanë nuk arritën të luanin në “Loro Boriçi”.

Duke u zhvendosur kështu në “Elbasan Arena” në duelin ku priti letonezët e Dugavpils. Por, tashmë të kualifikuar në turin e dytë të kompeticioneve europiane, shkodranët do rikthehen të luajnë në “fortesën” dhe shtëpinë e tyre historike.

Pasi ndeshja me Vikingur është e konfirmuar që do luhet në kryeqendrën e veriut të vendit tonë. Në këtë mënyrë pavarësisht se shkalla e vështirësisë ndaj islandezëve do jetë shumë më e lartë se ajo ndaj Daugavpils, kuqeblutë do kenë një “armë” shtesë. Ata do jenë tifozët e zjarrtë që si gjithmonë janë të pranishëm për të mbështetur skuadrën e tyre të zemrës. Ku sipas asaj çfarë mëson gazeta dhe bëhet e ditur edhe në rrjetet sociale, grupim i ultrasve ka filluar menjëherë përgatitjet.

Kjo për të krijuar një atmosferë sa më të “zjarrtë” në shkallët e “Loro Boriçit” për Vllazninë. E nga ana tjetër për të vënë ndoshta në “presion” disi edhe kundërshtarët ishullorë. Tashmë tifozët shkodranë që njihen për mbështetjen dhe dashurinë e tyre për futbollin, nuk do privohen për ta ndjekur ndeshjen nga shkallët e impiantit. Ku ditën e enjte pritet një numër i konsiderueshëm prej tyre në “Loro Boriçi”, me Vllazninë që luan ndeshjen e parë zyrtare për sezonin 2025-26 para tifozerisë dhe qytetit të saj.