Vllaznia u është kthyer fitoreve në kampionat me një rezultat të rëndësishëm teksa ka mundur me shifrat 4-1 Partizanin, një rival direkt në renditje. Megjithatë, shifrat nuk paraqesin plotësisht tablonë e kësaj ndeshje, që u vendos vetëm në minutat shtesë të saj.
Në një ndeshje shumë të luftuar, shkodranët e nisën takimin me vrull, duke krijuar raste para Alban Hoxhës, i cili bëri pritje të njëpasnjëshme për t’u mohuar golin. Por nga ana tjetër, të kuqtë gjetën rrjetën me goditjen e parë në portë, falë Isgandarli i cili u dhuroi avantazhin.
Shkodranët tentuan përsëri të kthenin takimin në favorin e tyre dhe falë penalltisë së Balajt, ia dolën të vendosnin baraspeshën që në pjesën e parë.
Në të dytën, edhe pse ata kishin më shumë manovrën nën kontroll, nuk arritën të krijonin po aq rrezikshmëri sa në fraksionin e parë të lojës. Kjo la të mendohej se ndeshja do të mbyllej me këtë barazim 1-1.
Por erdhën minutat e fundit ku ndodhi gjithçka, pasi fillimisht ishte penalltia e radhës e realizuar nga Balaj për përmbysjen e më pas edhe golat e Hakajt e Bismark me kundërsulm, për të vulosur një sukses të rëndësishëm 4-1 për kuqeblutë.
VLLAZNIA-PARTIZANI 4-1
36′ (p), 90’+1′ (p) Balaj, 90’+3′ Hakaj, 90’+7′ Bismark / 26′ Isgandarli
NGJARJET KRYESORE
90’+8’ Mbyllet ndeshja me fitoren 4-1 të Vllaznisë.
90’+7’ GOOOL VLLAZNIA! Përsëri aksion i shpejtë i shkodranëve nga e djathta, me Bismark i cili mposht Hoxhën. (VIDEO)
90’+3’ GOOOL VLLAZNIA! Kundërsulm i shpejtë i shkodranëve, Tafili sheh gjuajtjen e tij të bllokohet por topi shkon te Hakaj i cili shtyn sferën në rrjetë. (VIDEO)
90’+1’ GOOOL VLLAZNIA! Shënon Balaj me penallti. (VIDEO)
89’ Penallti për shkodranët dhe karton i verdhë për Bytyçin, i cili tërheq nga fanella Bismark duke e rrëzuar në zonë. (VIDEO)
88’ Gudjufi ndëshkohet me karton të verdhë.
86’ Toma niset drejt zonës shkodrane dhe sheh gjuajtjen e tij të devijohet me dorë nga Gjini. Aksioni është i pavlefshëm për pozicion jashtë loje. (VIDEO)
85’ Marku provon të befasojë Pohls nga distanca, pa ia dalë të gjejë rrjetën.
81’ Pikërisht Kallaku i lë vendin në fushë Tafilit në radhët e Vllaznisë.
79’ Kallaku tenton me të majtën të gjejë portën, pa shumë sukses.
78’ Murataj provon dy herë radhazi nga jashtë zonës, tentativa e parë bllokohet ndërsa e dyta shkon jashtë. (VIDEO)
69’ Isgandarli i lë vendin në fushë Markut të Partizani, te Vllaznia është Dros ai i cili merr vendin e Krymit.
67’ Krymi është futbollisti i radhës i ndëshkuar me karton të verdhë.
66’ Dumbia merr të verdhë për një faull ndaj Malës.
66’ Dumbia nis Tomën në qendër, ndërhyrja e Gjinit largon sferën nga zona e Vllaznisë.
65’ Ismaili është futbollisti i radhës i cili ndëshkohet me karton të verdhë.
63’ Përsëri provon Murataj nga jashtë zonës, ndërsa Hoxha edhe një herë i thotë “jo” golit duke mbërthyer sferën.
61’ Mala dhe Hakaj hyjnë në fushë në vend të Jagos dhe Kastratit te Vllaznia.
60’ Dumbia, Qokthi dhe Toma hyjnë në fushë në vend të Mehmetit, Skukës dhe Garsias te Partizani.
57’ Mehmeti dhe Jago ndëshkohen me karton të verdhë.
55’ Top në thellësi për Bismark i cili prek topin para Hoxhës dhe rrëzohet. Gjyqtari bën shenjë nga pika e bardhë për penalltinë e radhës, ndërsa më pas pret udhëzimet nga VAR-i. Por penalltia më pas anulohet plotësisht për pozicion jashtë loje. (VIDEO)
52’ Murataj hyn në zonë, shmang një mbrojtës në të majtën e sulmit dhe gjuan, por gjen ndërhyrjen e Bytyçit i cili largon sferën. (VIDEO)
51’ Një tjetër harkim interesant në zonë nga e majta e sulmit të Vllaznisë, Bismark devijon me kokë pa gjetur portën.
48’ Murataj merr topin në pozicion ballor dhe provon të gjejë rrjetën nga distanca, por me shënjestrën e gabuar pasi sfera shkon jashtë katërkëndorit. (VIDEO)
46’ Nis pjesa e dytë pa ndryshime në radhët e dy ekipeve.
45’+2’ Mbyllet pjesa e parë me barazimin 1-1.
45’+1’ Gabim i pabesueshëm i Bismark, i cili pasi merr një pasim të artë nga Balaj në qendër nuk ia del të gjuajë dhe sheh topin t’i ikë nga kontrolli. (VIDEO)
45’ Jepen 2 minuta shtesë.
44’ Predhë e Kallakut në goditje dënimi, Hoxha i përgjigjet me një grushtim duke mbajtur sferën larg rrjetës. (VIDEO)
42’ Garsia ndëshkohet me të verdhë për një faull ndaj Kallakut.
36’ GOOOL VLLAZNIA! Balaj shënon me penallti. (VIDEO)
34’ Atanaskoski ndëshkohet me karton të verdhë për faullin e penalltisë.
32’ Balaj niset në krah dhe pason në qendër ku Bismark nuk arrin pasi rrëzohet pas një kontakti me Atanaskoskin. Shkodranët kërkojnë kontrollin me VAR dhe gjyqtari Ferataj sheh pamjet në monitor. Në fund ai bën shenjë nga pika e penalltisë. (VIDEO)
29’ Pohls gabon në mënyrë të pabesueshme daljen në gjysmëfushë dhe i jep topin Garsias, tentativa e këtij të fundit nga distanca shkon mbi traversë. (VIDEO)
26’ GOOOL PARTIZANI! Një sulm i shpejtë i Gudjufit nga e djathta, sjell pasimin në qendër ku Isgandarli i vetëm shënon me lehtësi. (VIDEO)
25’ Isgandarli nga e majta e sulmit pason në qendër, Jago ndërhyn dhe largon rrezikun para Pohls.
21’ Hoxha përsërit veten duke ndalur një gjuajtje spektakolare të Kastratit nga jashtë zonës, teksa Gjini më pas nuk përfiton dhe çon sferën jashtë. (VIDEO)
21’ Tjetër gjuajtje e rrezikshme e shkodranëve nga Murataj, Hoxha përsëri është i pakalueshëm. (VIDEO)
19’ Murataj nis topin në thellësi për Bismark, Ndreka ndërhyn dhe devijon sferën në këndore.
16’ Mundësi e artë për Vllazninë, Bismark shfaqet para Hoxhës por ndalet nga portieri veteran i cili çon topin në këndore. (VIDEO)
10’ Gudjufi harkon në zonë, Gjini i vëmendshëm largon rrezikun.
7’ Isgandarli ka hapësirë në të majtën dhe me një sulm të shpejtë futet në zonë, por më pas i dorëzon topi shkodranëve në fundore.
4’ Përgjigjet edhe Vllaznia me një krosim nga e djathta, Preka largon rrezikun para portës.
1’ Menjëherë rrezikshëm Partizani me një pasim në qendër të Gudjufit, që Gurishta e kthen në këndore para devijimit të Skukës.
1’ Nis dueli në “Loro Boriçi”.
FORMACIONET ZYRTARE
VLLAZNIA: Pohls, Bajrami, Gjini, Gurishta, Jago, Krymi, Murataj, Kastrati, Kallaku, Bismar, Balaj.
Trajner: Edi Martini
PARTIZANI: Hoxha, Preka, Bytyçi, Janjeva, Atanaskovski, Ismaili, Mehmeti, Garsia, Isgandarli, Gudjufi, Skuka.
Trajner: Mladen Milinkoviç