Çdo vit në Shkodër deklarojnë se objektivi i sezonit të ri pikësëpari do të jetë rikthimi i volejbollisteve shkodrane që luajnë me ekipet e tjera, por në fakt kjo nuk po ndodh. Për këtë arsye, edhe në sezonin e ri Vllaznia do të jetë e detyruar të kërkojë lojtare të tjera (ndoshta të huaja) për të plotësuar rradhët e saj sepse disa prej lojtareve shkodrane që luajnë në kampionatin shqiptar, po firmosin për skuadrat e tjera.
Kështu, pak ditë më parë Stela Kiri la Partizanin dhe iu bashkua Dinamos, ndërsa ditën e sotme një tjetër volejbolliste shkodrane është zyrtarizuar tek Tirana. Bëhet fjalë për Sara Malajn. Kjo e fundit ka qenë pjesë e Skënderbeut në dy sezonet e fundit, por nga sot do të jetë e veshur bardheblu.
“Pas eksperiencës me Vllazninë dhe Skënderbeun, Sara vjen te Tirana për sezonin 2025-2026, me një bagazh trofesh dhe titujsh individualë si Best Middle Blocker dhe Best Attacker.
Prej 3 vitesh pjesë e Kombëtares Shqiptare, ajo do të jetë një shtyllë e fortë drejt trofeve të rinj. Mirësevjen në familjen bardh e blu, Sara!”- shkruhet në faqen e klubit Tirana për këtë përforcim.
Kujtojmë që Sara Malaj luan në pozicionin qendër dhe është një nga lojtaret më të mira të kampionatit shqiptar në këtë pozicion. Ajo është formuar si sportiste tek Vllaznia, por prej dy vitesh u largua nga Shkodra duke kaluar në Korçë tek Skënderbeu me të cilin u shpall edhe kampion, ndërsa tani do të jetë pjesë e Tiranës. (www.shkodrasport.com)
