Nga Endri ÇINARI
Pavarësisht se ende s’ka asnjë lëvizje zyrtare tek Vllaznia qoftë për largimet apo afrimet e futbollistëve, duket se ambienti po “zien” tek kuqeblutë. Me një projekt të ri që pritet të marrë udhë në fillimin e qershorit, për të prezantuar një skuadër ndryshe apo edhe me fytyra të reja. Kështu pas emrave si: Kahrimanoviç, Stojanoviç, Juriç dhe Mensah që duken të sigurt drejt largimit, një tjetër emër ka dalë në skenë.
Ai është Ardit Deliun, me mesfushorin të cilit i skadon kontrata në fund të këtij muaji. Dhe një rinovim i marrëveshjes duket që do jetë i vështirë për tu arritur. Kjo nga performancat jo bindëse të ish-futbollistit të Tiranës gjatë sezonit të shkuar. Ku kavajasi nuk paraqiti nivelin që pritej prej tij në Shkodër. Por një arsye tjetër duket se është edhe preferenca e Martinit, që sipas burimeve pranë gazetës preferon një tip tjetër mesfushori.
Por tek Vllaznia nuk mendohet vetëm për largimet apo rinovimet, por edhe afrimet e reja. Një emër i përfolur tashmë për mbrojtjen është Elmando Gjini. Shkodrani që aktivizohet në Kosovë tek skuadra e Ballkanit mund të jetë një opsion për prapavijën kuqeblu. Pavarësisht se me ekipin nga Suhareka, 22-vjeçari nuk ka qenë një titullar fiks, ai është një lojtar që pëlqehet shumë nga Edi Martini.
Kjo pasi trajneri shkodran bazohet tek eksperienca pozitive që ka pasur me shtarlartin në kohën kur të dy ishin së bashku tek Teuta. Gjini, një futbollist që luan në rolin e qendërmbrojtësit është një lojtar që është rritur në Suedi me ekipin e Bromma. Teksa po ashtu ka qenë pjesë e akademisë së Xhenoas në Itali. Si profesionist ai ka luajtur tek Amora në Portugali, tek Teuta në Shqipëri dhe së fundmi tek Ballkani në Kosovë.