Klubi i Futbollit Vllaznia ka zyrtarizuar pak minuta më parë huazimin e një tjetër futbollisti të ri të saj. Këtë herë bëhet fjalë për mbrojtësin 20 vjeçar Amir Brahimi i cili do të jetë pjesë e Luftëtarit në sezonin e ri.
Gazeta “Shkodra Sport” e kishte njoftuar para dy ditësh akordin mes dy klubeve, por vetëm sot ka ardhur edhe firmosja e kontratës së huazimit dhe mbrojtësi i djathtë tashmë do të federohet me skuadrën gjirokastrite duke qenë në dispozicion të stafit teknik të saj që në ndeshjen e kësaj fundjave.
“KF Vllaznia bën të ditur se ka arritur një marrëveshje me AF Luftëtari për huazimin e futbollistit tè saj Amir Brahimi për sezonin 2025-2026. Ne shpresojmë se tek skuadra e tij e re, mbrojtësi 20 vjeçar do të ketë më shumë hapësira aktivizimi dhe besojmë që ai do të rikthehet tek familja kuqeblu më i fortë dhe me më shumë përvojë”- shkruhet në njoftimin e klubit shkodran.
Brahimi arriti të debutonte me ekipin e parë të Vllaznisë duke luajtur të parën ndeshje të tij zyrtare në kampionat me fanellën kuqeblu pikërisht ndaj Partizanit në Tiranë, megjithatë më pas hapësirat e aktivizimit kanë qenë të pakta dhe prandaj është parë më e arsyeshme që ai të huazohet tel Luftëtari ku pritet të ketë më shumë minuta dhe ai të tregojë aftësitë e tij.(www.shkodrasport.com)