Prof.dr. Xhevdet Zekaj
Për ditë të tëra, një grup të ashtuqujturish tifozë të mëdhenj të kombëtares së Shqipërisë, e cila nuk është pronë e FSHF-së, as e Armando Dukës, e asnjë njeriu të vetëm, por krenari e kombit shqiptar, shpërtheu në një fushatë denigruese, antikombëtare, “mos shko, mos shko në stadium”! Po cila ishte e vërteta.
Deri të premten e javës së kaluar ishin shitur 12 mijë bileta për ndeshjen ndaj Letonisë. Ditën e martë, fluksi i kërkesave për bileta të kësaj ndeshjeje ka qenë mbi 30 mijë. Në fakt, biletat ishin shitur të gjitha, më herët se ditën e ndeshjes. Pati dhe fushatë tjetër, se gjasme FSHF po gënjente, se nuk ishin shitur biletat për Letoninë, por realiteti është ky, ai që u pa mbrëmë në “Arena Kombëtare”, e mbushur me tifozë.
Shqiptarët dinë të ndajnë shapin nga sheqeri, shqiptarët e vërtetë e dinë çdo të thotë kombëtare kuqezi, përtej thirrjeve e çjerrjeve të gjithkujt nëpër rrjetet sociale. Në stadium shkohet për flamurin, jo për t’u shfryrë me kore ofenduese ndaj cilitdo, për të shpalosutr banderola të palejuara, që sjellin pastaj deri në 3 milionë euro gjobë për FSHF-në në dy vite. Shqiptarët treguan “fair play”, qytetarinë europiane të tyre në ndeshjen ndaj Letonisë, në të gjitha drejtimet.
Natytrisht, mes tifozëve të pranishëm mbrëmë në “Arena Kombëtare” kishte edhe kritikues të kombëtares, të federatës apo ndonjë hallke tjetër të futbollit tonë, por e bëjnë këtë në mënyrë të kulturuar. Nuk bëjnë thirrje absurde “mos shko, mos shko në stadium”. Thirrjet për ta bojkotuar kombëtaren kuqezi mund të dalin nga zemrat e serbëve, fjala vjen, por kurrë nga shqiptarët e vërtetë. Qejfmbeturve për ndonjë biletë të munguar apo benefite të tjera nuk iu shkon kurrsesi kjo sjellje, i njollos rëndë në sytë e mbarë publikut shqiptar.
Tifiozët shqiptarë e treguan sa e duan kombëtaren, e mbushën “Arena Kombëtare” ndaj Letonisë. Shqiptarët e vërtetë nuk bojkotuan kombëtaren, por thirrjet “mos shko, mos shko në stadium”. Ditën e martë ishin mbi 30 mijë kërkesa për bileta, çka tregon se kur vjen fjala për ngjyrat kuqezi, asnjë thirrje absurde nëpër rrjetet sociale nuk “pi ujë” fare.
Qejfmbeturit, qejfprishurit, gjakprishurit të mos harrojnë se kombëtarja nuk është e individëve, e federatës, por e krejt shqiptarëve. Kombëtarja kuqezi do të jetë aty, në jetë të jetëve, si emblema e krejt kombit tonë, për të bashkuar dhe jo ndarë. Drejtuesit e federatës do të ikin një ditë, të gjithë, por kombëtarja do të jetë e përjetshme. Shqiptaria është më shumë se një ndeshje, nuk ka lidhje me qejmbeturit kundër Armando Dukës, i cili i ka dhënë kombit tonë dy kualifikime historike në “Euro 2016” dhe “Euro 2024”.
Dëmi nga këto “heronj Facebook”-u, që mendojnë se luftojnë Serbinë duke sharë në stadiume, ka qenë i madh. Nuk dënohet xhepi personal i Dukës nga UEFA, por futbolli shqiptar. Ato gjoba të majme duhej të investoheshin në infrastrukturë sportive, të ndihmonin klubet dhe akademitë, por falë këtyre gjakprishurve, që bëjnë thirrje “mos shko, mos shko në stadium”, na i merr UEFA.
Është koha për t’u bashkuar, për të hequr dorë nga ky patriotizëm fals. Të gjithë të ulemi me këmbët në tokë. Mësimin më të mirë ua dhanë të gjithëve tifozët shqiptarë në ndeshjen Shqipëri-Letoni, që mbushën stadiumin plot dhe përcollën gjithçka pa asnjë incident, me qytetari të plotë europiane.