Ofertat nuk mungojnë për lojtarët e Tërbunit, që u ka mbaruar kontrata me klubin. Anderson Filipi, i vetmi lojtar pukjan, që kontribuoi për 4 vite me radhë për skuadrën e vendlindjes, thotë se futbollistët janë të zhgënjyer nga mosrealizimi i objektivit, ngjitja në të Parën.
Në sezonin e fundit, Filipi kaloi një dëmtim të gjatë dhe pas rikuperimit vazhdoi të kontribuojë për Tërbunin. Për “Panorama Sport”, ai tha: “Në përfundim të sezonit u gjendëm të zhgënjyer.
Të gjithë, lojtarët dhe drejtuesit, duhet të mbajmë përgjegjësi për këtë dështim të Tërbunit për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë. Kur ekipi ra në të Dytën, drejtuesit kishin synimin ta rikthenin sa më shpejt ekipin në të Parën, por kjo nuk u bë realitet. Keqardhje ndjej edhe për tifozërinë, pasi nuk arritëm t’ia plotësonin dëshirën, edhe pse na mbështetën pa rezerva.
Në fund të sezonit unë dola lojtar i lirë, sepse më ka mbaruar kontrata. Ofertat nuk më mungojnë nga Kategoria e Parë, por ndoshta do të më shihni edhe pjesë të ndonjë ekipi elitar. Klubi i Tërbunit ka dalë në ankand. Uroj të afrohet ndonjë biznesmen i fuqishëm dhe ta rikthejë ekipin aty ku e ka vendin.
Për katër vite isha pjesë e këtij ekipi, ndaj dua të falënderoj dy presidentët, dy trajnerët dhe drejtuesit e tjerë për punën që kanë bërë, pavarësisht se në çfarë pozitash ndodhemi. Suksese Tërbuni, sa më shpejt në Kategorinë e Parë”.