Ndryshimet e pësuara tek klubi i Besëlidhjes kanë sjellë një ristrukturim total të strukturave të tij drejtuesve dhe tashmë aty ekziston edhe posti i drejtorit sportiv. Ndonëse ende nuk është zyrtarizuar, gazeta “Shkodra Sport” e ka mësuar emrin e njeriut që është emëruar në këtë post.
Bëhet fjalë për Renato Malotën. Ish- futbollisti i njohur lezhjan është preferuar nga drejtuesit e klubit për të marrë këtë detyrë dhe mësohet se ai e ka pranuar. Padyshim që për Besëlidhjen kjo është shumë pozitive sepse vetë karriera e tij sportive tregon shumë.
Malota siç dihet vetëm pak kohë më parë u tërhoq nga futbolli i luajtur, shkak i një dëmtimi që kaloi dhe për këtë arsye erdhi edhe “divorci” me ekipin e Egnatias, ku në fakt pati edhe kulmin e karrierës së tij, shoqëruar edhe me disa trofe të fituara.
Ish- mbrojtësi që ka luajtur edhe me ekipe të tjera të njohura të kampionatit shqiptar, ndër të cilat edhe me Vllazninë, tashmë do t’i shërbejë skuadrës të qytetit të tij të lindjes, pikërisht Besëlidhjes, asaj me të cilën u bë i njohur fillimisht në futbollin shqiptar.
Bashkë me presidentin Pjerin Fushaj dhe me trajnerin Elvis Plori, drejtori i ri sportiv i Besëlidhjes Renato Malota ka nisur menjëherë nga puna dhe skuadra gradualisht po plotësohet me lojtarët e duhur. Një organizim i tillë padyshim që e bën skuadrën lezhjane pretendente absolute për ngjitjen një kategori më lart në fund të këtij sezoni.(www.shkodrasport.com)