Tek Besëlidhja nuk kanë të ndalur përforcimet në merkato, duke treguar qartë edhe njëherë tjetër se ambiciet e drejtuesve të rinj të klubit janë të mëdha. Lojtari i rradhës që ka firmosur është një tjetër shkodran.
Gazeta “Shkodra Sport” mëson se trajneri Elvis Plori ka kërkuar me ngulm një sulmues me përvojë dhe si rrjedhojë zgjedhja më e mirë e mundshme ka qenë ajo e Jasmin Rraboshta. Sezonin e kaluar ai ka qenë pjesë e Orikut, ndërsa tashmë do të veshë fanellën e Besëlidhje në sezonin e ri.
Kjo padyshim që është një goditje në merkato e lezhjanëve pasi dihen vlerat e këtij sulmuesi me shumë përvojë dhe një golashënues i spikatur në këto kategori. Rraboshta sigurisht që premton shumë gola për Besëlidhjen, për ta ndihmuar atë në arritjen e objektivit.
Në këtë mënyrë përpos trajnerit Plori dhe tre futbollistë nga Shkodra që kanë firmosur më parë, pikërisht Arsid Kruja, Abaz Karakaçi e Dritmir Beci, tashmë Jasmin Rraboshta bëhet shkodrani i pestë që do të jetë pjesë e skuadrës lezhjane.
Përpos tyre, si përforcim kanë ardhur edhe portieri Kadri Birja e mesfushori Sokol Neziri. Kjo do të thotë se Besëlidhja do të ndërtohet nga fillimi dhe ajo çfarë konstatohet lehtësisht është fakti që drejtuesit po tentojnë të marrin lojtarë me përvojë në skuadër, të cilët do ta bëjnë edhe më të lehtë arritjen e objektivit.(www.shkodrasport.com)