...
HomeKRYESOREErkand Qerimaj nuk di të ndalet: Prej 23 vitesh jam në nivele...

Erkand Qerimaj nuk di të ndalet: Prej 23 vitesh jam në nivele të larta, e kjo ka ardhur falë sakrificave të mëdha

Këtë verë mbushi 37- vjeç, por Erkand Qeri maj vijon të jetë në fronin e peshëngritjes shqiptare, si një prej më të mirëve që ka nxjerrë ky sport. Shtangisti i Tiranës shkëlqeu edhe në Kupë, aktivitet që u zhvillua të shtunën në kryeqytet.

Me 145 kg në shkëputje, me 180 kg në shtytje dhe me 325 kg në dygarësh, Qerimaj fiksoi tri rekorde kombëtare në kategorinë e re të peshave 79 kg, duke qenë ai sportisti me rezultatet që i afrohen më shumë rekordeve europiane. Ai meritoi vlerësimin e sportistit më të mirë të Kupës, për të futur në xhep edhe biletën që të çon në Kampionatin Botëror.

Prej më shumë se dy dekadash në nivele të larta, aq më tepër kur bëhet fjalë në një sport të vështirë si peshëngritja, është diçka e jashtëzakonshme. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Qerimaj thekson se gjithçka ka ardhur si rrjedhojë e punës dhe sakrificës, duke komentuar kështu triumfin e tij në Kupë:

“Kam që prej vitit 2002, kur jam shpallur kampion i Europës për herë të parë me moshat dhe vazhdoj të kem rezultate të larta. E gjithë kjo ka ardhur si rrjedhojë e sakrificës, mundit, djersës dhe regjimit të vazhdueshëm që kam mbajtur. Edhe kjo garë ishte një sfidë për mua, pasi do të vendoste për sportistët që do të shkonin në Kampionatin Botëror.

Faktikisht ishte një garë me presion, pasi pesha 79 kg është më e forta në Shqipëri dhe po të krahasosh rezultatet e kësaj gara, janë pikërisht rezultatet e peshës 79 kg ato që afrohem më shumë me rekordet europiane për të rritur. Përveç garës për të shkuar në botëror kishte rivalitet edhe për çmimin për të dalë sportisti më i mirë në Kupë, pasi kishte shumë peshëngritës që e pretendonin çmimin”, shprehet Qerimaj, i cili më pas shton:

“Normalisht kam bërë sakrifica, sepse nuk është e lehtë që të mbash rezultatet për një kohë kaq të gjatë, pasi këtë vit edhe në Europian u rendita në vendin e katërt, apo vjet isha nënkampion i Europës. Për të qenë për një kohë kaq të gjatë me rezultate të larta europiane dhe botërore, normalisht që është sakrificë e madhe. Nuk është e lehtë, pasi duhet të mbash ushqimin, regjimin, pushimin dhe bësh stërvitje gjatë të gjithë vitit, jo një muaj apo dy muaj para garave”.

BOTËRORI – Për më pak se një muaj do të zhvillohet Kampionati Botëror në Norvegji dhe Qerimaj tregon synimet e tij për këtë eveniment të rëndësishëm: “Tani kam edhe një muaj kohë për t’u përmirësuar dhe normalisht që në Botëror kushtet janë më të mira për të bërë rezultat. Gara është e ndarë me orar dhe e di kur e ke konkurrimin, jo siç ndodhi këtu për shembull në Kupë, ku gara ishte pa orar dhe na njoftuan vetëm 10 minuta përpara për t’u ngjitur në pedanë.

Kjo u deklarua edhe nga presidenti i federatës që do të rregullohet në garat e ardhshme. Ndërsa në Botëror jemi më të qetë në këtë aspekt, pasi është tjetër organizim. Kështu që normalisht pretendoj që ti rris rezultatet e Kupës edhe pse ishin rekorde kombëtare për peshën 79 kg. Në Botëror pretendoj që të shkoj më lart dhe synimi është të futem brenda gjashtëshes së botës”.

PESHA E RE – Në fund Qerimaj tregon se si e sheh veten në peshën re 79 kg: “Mendoj që është një peshë që më përshtatet mirë. Më duhej që të zbrisja pak në peshë para garës, por them që kjo peshë më përshtatet mirë. Nga 81 kg në 79 kg, nuk është ndonjë diferencë e madhe, por përshtatem mirë. Unë edhe rezultatet e mia më të mira i kam pasur në kategoritë 73 apo 77 kg, gjithashtu edhe në 81 kg, por në 79 kg jam shumë mirë”, përfundon kampioni i shtangës shqiptare.

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments

Seraphinite AcceleratorOptimized by Seraphinite Accelerator
Turns on site high speed to be attractive for people and search engines.