Nëse flasim për titujt kampion të Vllaznisë së femrave, sigurisht që sukseset e tij nuk mund t’i ndash kurrsesi nga ato të ekipit U17 të klubit shkodran sepse edhe ai po ndjek të njëjtën rrugë. Pasditen e sotme, ekipi Vllaznia U17 ka fiuar titullin e pestë kampion rradhazi duke treguar se është më i miri i Shqipërisë edhe për këtë grupmoshë.

Ndeshja finale ndaj ekipit të Kinostudios është luajtur në kompleksin e ekipeve kombëtare në Kamëz dhe për të shpallur ekipin kampion janë dashur gjuajtjet e 11-metërshave dhe nga pika e bardhë kanë qenë vajzat kuqeblu që janë treguar më të suksesshme duke merituar edhe kupën.

Në fakt, ndeshja e rregullt është mbyllur në shifrat e barabarta 1-1. Ka qenë Vllaznia U17 e cila ka kaluar e para në avantazh me anë të futbollistes Herta Hasaj dhe pjesa e parë është mbyllur me këtë gol.

Në pjesë e dytë, arbitrja e ndeshjes Disela Lekgegaj ka “shpikur” një 11-metërsh për ekipin e Kinostudios dhe ai është kthyer në gol nga futbollisja Kadiolli duke barazuar në këtë mënyrë shifrat e ndeshjes. Megjithatë arbitrimi i keq dhe në dëm të Vllaznisë ka lënë shenja duke sjellë edhe reagimet e futbollisteve shkodrane dhe madje në adresë të tyre nuk kanë munguar edhe kartonat e kuq.

Si rrjedhojë në minutat shtesë fillimisht është ndëshkuar me të kuqe futbollistja Desara Lorja dhe më pas edhe Klevisa Ndoci, por gjithsesi ekipi ka arritur ta ruajë barazimin dhe në këtë mënyrë dy ekipet i janë drejtuar gjuajtjes së 11-metërshave. Futbollistet e drejtuara nga trajnerja Paula Jaku janë treguar më të suksesshme duke fituar 5-4 dhe protagonistja kryesore ka qenë portieria Ambra Reshiti e cila ka pritur dy penallti duke ndihmuar ekipin e saj të shpallej kampion.

Vllaznia U17 në këtë mënyrë rrëmben një tjetër trofe, pavarësisht problemikave të shfaqura në finale, duke treguar edhe njëherë tjetër se kur flitet për futbollin e femrave në vendin tona, ka vetëm një emër: VLLAZNIA!