Nga Maringlen ZHIVANI
Një arritje e madhe për sportin shqiptar dhe në veçanti për gjimnastikën ka ardhur së fundmi. Ata janë rikthyer në qendër të vëmendjes me një rezultat të jashtëzakonshëm në arenën ndërkombëtare. Ekipi Kombëtar i Gjimnastikës ka fituar vendin e tretë dhe medaljen e bronztë në edicionin e pestë të “World Gym for Life Challenge”, që u zhvillua në Lisbonë të Portugalisë, një aktivitet prestigjioz i organizuar nga Federata Ndërkombëtare e Gjimnastikës, ku morën pjesë Kombëtare nga mbarë bota.
Ky sukses nuk është i rastësishëm, por është rezultat i një pune të përkushtuar, në rradhë të parë nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Gjimnastikës, shkodrani Leonard Lulaj. Me energjinë e tij ndaj zhvillimit të sportit, Lulaj ka arritur të ringjallë një disiplinë që prej vitesh kishte rënë në harresë.
Ai jo vetëm ka rikthyer gjimnastikën shqiptare në skenën ndërkombëtare, por ka ndërtuar një strukturë të profesionale. Delegacioni shqiptar, i përbërë nga 15-gjimnaste të reja të moshës 7 deri 12-vjeç, nga qytetet e Shkodrës, Beratit, Lushnjës dhe Tiranës, përformoi me dinjitet në një kompeticion të nivelit më të lartë.
Vajzat e gjimnastikës shqiptare, dhuruan emocione, të cilat u duartrokitën nga publiku dhe juria ndërkombëtare. Në drejtimin e presidentit Leonard Lulaj, gjimnastika shqiptare është më cilësore dhe më dinjitoze. Medalja e bronztë në Lisbonë është simbol i këtij transformimi dhe një ogur i mirë për sfidat që e presin sportin shqiptar në të ardhmen.(www.shkodrasport.com)