Akileu Ndreca ishte një nga afrimet e Tiranës në këtë merkato. Mesfushori i cili vjen pas një eksperience në Itali tashmë do jetë pjesê e klubit më të trofeshëm në vend. Në një intervistë për “Shkodra Sport” ish-futbollisti edhe i akademisë Vllaznia tregon për emocionet e kësaj aventure të re. Ku gjithashtu tregon se interesi i kuqebluve ndaj tij nuk ka ekzistuar.
-Akile, si ndihesh që u riktheve në Shqipëri pas një periudhe disa vjeçare në futbollin italian?
Jam shumë pozitiv për këtë lëvizje. Kam një kënaqësi të madhe të kthehem të luaj në vendin tim e po ashtu me klubin më të madh në vend.
-Sa të shërbeu eksperienca në Itali për tu rritur si futbollist?
Eksperienca në Itali më ka rritur shumë. Në çdo aspekt, si atë futbollistik, por edhe atë njerëzor.
-Tashmë pjesë e Tiranës, ndihesh i priviligjuar?
Nder dhe privilegj të jem pjesë e Tiranës. Besoj se shumica e atyre që kanë luajtur apo luajnë futboll në Shqipëri duan që një ditë të jenë pjesë e kësaj skuadre.
-Çfarë mund të presim nga Ndreca për ata tifozë që nuk të njohin ende?
Përsa i përket kësaj pyetjeje premtoj se do jap gjithmonë më të mirën. Do bëj maksiumin që ta meritoj në fushë të mbaj veshur fanellën e Tiranës.
-Në futbollin tonë përveç akademisë së Shënkollit, je aktivizuar edhe tek ajo e Vllaznisë. Ku ke qenë një ndër lojtarët më të dalluar. Nuk ishte një opsion Vllaznia për ty?
Në Shqipëri para se të largohesha jam aktivizuar tek moshat e Shënkollit. E ndërsa vitin e fundit e mbylla tek grupmoshat e Vllaznisë, ku gjithçka shkoi shumë mirë. Përveç një ftese nga ekipi i parë të cilën e prisja, por nuk erdhi kurrë. Megjithatë koha do tregojë gjithçka.
-Një objektiv personal apo premtim?
Objektivi im është që të bëj maksimumin për Tiranën dhe tifozët e saj. E po ashtu edhe titulli kampion i vendit.
Intervistoi: Endri ÇINARI