Malësia e Madhe po nxjerr shumë futbollistë cilësorë e kjo duket qartë edhe tek ekipet kombëtare ku një pjesë e konsiderueshme e tyre janë nga kjo trevë. Njëri prej tyre është edhe Kledi Marinaj, mbrojtësi që luan me Lazio U20 në futbollin italian. Ai këto ditë ka qenë bashkë me familjen e tij në Shqipëri dhe si rrjedhojë kryebashkiaku Tonin Marinaj i ka revervuar një pritje të veçantë në zyrën e tij.
Ka qenë vetë ai që e ka postuar një gjë të tillë në faqen zyrtare ku shkruan:
“Me Kledi Marinaj, një talent dhe një yll i ri në botën e futbollit. Ai është pjesë e ekipit U20 të Lazios dhe e formacionit të të rinjve të Kombëtares Shqiptare. Kledi, i lindur dhe i rritur në Itali, është plotësisht i integruar dhe i suksesshëm në shoqërinë italiane, duke marrë më të mirat e kulturës së saj, por njëkohësisht duke ruajtur me krenari vlerat më të mira shqiptare. Ai përfaqëson modelin e të riut ideal.
Pavarësisht talentit dhe arritjeve, Kledi mbetet një djalë modest, i thjeshtë, pozitiv dhe i vendosur për të realizuar ëndrra të mëdha.
Krenari për Malësinë dhe për gjithë Shqipërinë.
Suksese Kledi dhe uroj të të shoh sa më shpejt në majat e futbollit botëror!”