Elvis Plori nga sot ka marrë një detyrë të re: Ai është emëruar trajner i ekipit të Besëlidhjes. Një lajm i tillë kishte 2-3 ditë që qarkullonte, por gazeta “Shkodra Sport” mëson se sot është zyrtarizuar pasi trajneri shkodran ka arritur akordin me drejtuesit e klubit lezhjan duke pranuar të ulet në pankinën e skuadrës së tyre.
Padyshim që ky është një lajm i mirë për Besëlidhjen sepse do të ketë në pankinë një ekspert si Plori, i cili në fakt e ka drejtuar edhe më parë skuadrën lezhjane, ashtu si dhe disa skuadra të tjera duke treguar profesionalizëm në punën e tij.
Dhe jo më kot tek Besëlidhja ditët e fundit e kanë patur në “pole position” emrin e tij. Në fund, pas një bisede të presidentit Pjerin Fushaj me teknikun shkodran, palët kanë rënë dakord dhe ai do të nisë menjëherë nga puna për ndërtimin e një skuadre të fortë dhe pretendente.
Ardhja e presidentit të ri në krye të këtij klubi ka sjellë optimizëm edhe tek tifozëria lezhjane dhe tashmë shpresat janë të mëdha që Besëlidhja gradualisht të rikthehet aty ku i takon të jetë, por fillimisht duke u ngjitur në kategorinë e parë të futbollit shqiptar.
Me Plorin në pankinë, por edhe me lojtarët që do të veshin fanellën e kësaj skuadre në ditët e ardhshme, çdo gjë është mëse e mundur tashmë. Për Besëlidhjen kësisoj po nis një epokë e re.(www.shkodrasport.com)