Nga Maringlen ZHIVANI

Klubi i Basanias, që përfaqëson zonën e Bushatit të Bashkisë Vau-Dejës, ka filluar ndryshimet për sezonin e ri. Nga sa mësohet nga burime të “Shkodra Sport”, presidenti i këtij klubi Ermir Shimaj ka vendosur që të rikthejë në klub Fatjon Hasanin, ish-futbollistin e njohur të Vllaznisë dhe më pas, trajner i ekipeve të moshave të Akademisë kuqeblu. Atij këtë herë do t’i besohet detyra e drejtorit teknik.

Basania konkurron në Kategorinë e Dytë dhe synimet mesa duket janë për t’u pozicionuar në renditje sa më lart që të jetë e mundur. Pas një periudhe shkëputjeje, trajneri i njohur rikthehet për të udhëhequr skuadrën në objektivat e sezonit të ri.

Hasani gëzon besimin e drejtuesve për të ndërtuar një ekip konkurrues dhe për të synuar majat e renditjes. Ndërkohë vetë klubi i Basanias ende nuk e ka zyrtarizuar emërimin e Hasanit në këtë detyrë, por në faqen e tij ka publikuar një foto që flet shumë.

Në të është presidenti Ermir Shimaj, bashkë me Fatjon Hasanin dhe dy trajnerët që e udhëhoqën skuadrën në fundin e sezonit të kaluar, Erion Mani dhe Mario Kola të cilët mesa duket do ta drejtojnë atë edhe në sezonin e ri. Krahas fotos, në postimin e Basanias shkruhet: “Projektojmë Basanian 2025-2026 dhe më tej. Së shpejti komunikojmë formatin e ri dhe startimin e përgatitjeve”.(www.shkodrasport.com)