Pas nje sezoni tek Skënderbeu, portieri shkodran Kristian Rroku ka nisur një eksperiencë të re. Këtë herë në kampionatin kosovar të futbollit teksa është bërë pjesë e ekipit të Trepçes. Në Korçë ai nuk pati hapësirat e duhura ngaqë titullar ishte një portier si Marko Alia, por megjithatë Rroku ka arritur të debutojë në Superligë duke treguar vlerat e tij.
Ndërsa tashmë, pasi është ndarë me Skënderbeun dy ditë më parë, nga dje ka hedhur firmë në kontratën e ofruar nga klubi mitrovicas. Ka qenë ky i fundit që e ka lajmëruar një gjë të tillë duke treguar se beson shumë në aftësitë e këtij portieri. Ja çfarë shkruhet në postin e KF Trepça:
“Mirësevjen: Kristian Rroku
KF Trepça ka kënaqësinë të njoftojë arritjen e marrëveshjes me portierin 22-vjeçar nga Shqipëria, Kristian Rroku, i cili së fundmi ishte pjesë e skuadrës së KF Skënderbeu nga Korça
Kristiani sjell me vete përvojë të çmuar nga akademitë dhe skuadrat elitare si Olympiacos, AEK Athens, dhe Ionikos Nikeas, ku ka qenë pjesë e kategorive të reja
Me një profil të fuqishëm dhe përkushtim të madh, Rroku do të jetë një forcë shtesë në portën tonë për edicionin e ri”.