Mundësit e Vllaznisë kanë bërë një paraqitje të mirë në garat e Kupës së Shqipërisë për 15 dhe 17 vjeçarët që u zhvilluan dy ditë më parë në Berat. Një figurë më të mirë kanë bërë mundësit e grupmoshës U15 të cilët kanë zënë dy vende të para dhe në përfundim të aktivitetit ekipi shkodran ka zënë vendin e tretë në renditjen ekipore në stilin e lirë.

Kështu një figurë shumë të mirë ka bërë sportisti Amer Faslija në peshën 62 kg duke zënë vendin e parë. Po ashtu, vend të parë ka zënë edhe mundësi Muhamed Tula në peshën 75 kg. Ndërsa vende të dyta kanë zënë mundësit Unejs Hafizi në peshën 57 kg, Enes Anza në peshën 68 kg dhe po ashtu edhe Amar Brahimi në peshën 85 kg.

Një paraqitje të mirë kanë bërë edhe mundësit e tjerë të grupmoshës U15 Hadis Bashi në peshën 41 kg, Ergi Muçobega në peshën 52 kg, Bekim Ramekaj në peshën 57 kg dhe Halid Ulqinaku në peshën 62 kg.

Ndërsa në grupmoshën U17 Vllaznia është përfaqësuar me një sportist, Amer Ulqinakun i cili në peshën 85 kg zuri vendin e tretë. Rezultatet e ekipit shkodran në këtë mënyrë po vijnë nga viti në vit në rritje dhe kjo falë punës shumë të mirë të bërë nga trajneri Altin Anza me sportistët e tij.(www.shkodrasport.com)