Nga Gjergj KOLA

Boksieri shkodran Nelson Hysa do të ngjitet sërish në ring. Dhe sërish në Angli, por këtë herë në Ipswich. Mbrëmjen e 7 qershorit, ai do të ngjitet në ring për t’u ndeshur me gjermanin Patrick Korte.

Sfida e shumëpritur do të zhvillohet në “Portman Road Football Ground” dhe ajo është e organizuar nga një prej promotorëve më të njohur të Botës, Frank Warren, me të cilin Hysa ka nisur bashkëpunimin prej disa kohësh. Nelson Hysa do të kërkojë fitoren e tij të rradhës, që do të jetë e 23-ta në po kaq ndeshje të zhvilluara prej tij.

Kundërshtari i Nelsonit ka edhe ai 22 fitore në karrierën e tij të boksit profesionist dhe po ashtu 18 prej tyre i ka të fituara me KO, por ndryshe nga boksieri shqiptar, ai ka edhe 4 humbje të pësuara, të gjitha me nokaut dhe njëkohësisht edhe një barazim.

Sfida e së shtunës do të jetë një betejë e fortë megjithatë Hysa është i vendosur për të fituar dhe për t’u ngjitur edhe më lart në ranglistën botërore. Kujtojmë që shkodrani për momentin ndodhet në vendin e 28-të në mes 1567 boksierëve nga e gjithë bota.(www.shkodrasport.com)