Kombëtarja shqiptare e vajzave zhvilloi ndeshjen e radhës në Nations League ndaj Ukrainës, në stadiumin “Varteks” të Varazhdinit. Vajzat kuqezi u mundën me rezultatin 2-1.

Trajneri Armir Grima e nisi takimin me këtë formacion titullar: Antigoni Hyskja (GK), Arbiona Bajraktari, Armera Tukaj, Ilarja Zarka, Sara Maliqi, Arbenita Curraj, Qendresa Krasniqi, Megi Doçi (C), Ezmiralda Franja, Fortesa Berisha, Valentina Troka.

Shqipëria e nisi mirë sfidën dhe kaloi në avantazh në minutën e 10-të me golin e Fortesa Berishës, por Ukraina reagoi brenda pjesës së parë, duke përmbysur gjithçka me golat e Olha Ovdiychuk dhe Olha Basanska.Pjesa e parë u mbyll 2-1 për Ukrainën.

Pavarësisht përpjekjeve të Shqipërisë për të barazuar në pjesën e dytë, rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund. Sfida u mbyll me fitoren e Ukrainës 2-1.

Ndeshjen e fundit në grup, Shqipëria do ta zhvillojë më 3 qershor, në orën 19:00, ndaj Çekisë, në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër.