HomeKRYESOREOpinion nga Luan Shpuza/ Vendimi për të huaj pa limit në futbollin...

Opinion nga Luan Shpuza/ Vendimi për të huaj pa limit në futbollin shqiptar, shumë i gabuar. Dëmton moshat U17, U19 dhe U21

Lejimi i lojtarëve pa limit në ekipet e Superligës dhe futbollit shqiptar është një strategji e gabuar që dëmton në mënyrë të drejtpërdrejtë moshat, akademitë dhe arkën e klubeve.

Ky vendim i FSHF-së, i marrë vetëm për t’i plotësuar kërkesat e përkohshme të presidentëve të klubeve, nuk ka asnjë vizion afatgjatë. Thelbi është i qartë: këta lojtarë të huaj, që vijnë kryesisht nga vende të lodhura futbollistikisht dhe shpesh pa nivelin e duhur, përfaqësojnë një kosto të panevojshme për klubet. Pa dashur të ofendojmë racën apo ngjyrën, problemi nuk është tek individët, por tek mungesa e një strategjie që garanton rritjen dhe zhvillimin e vetë futbollit shqiptar.

Dëmtimi më i madh ndodh tek moshat U17, U19, U21. Këto kategori nuk janë më prioritet i klubeve. Në vend që të prodhojnë, promovojnë dhe shesin talente me zero kosto, klubet zgjedhin rrugën më të lehtë: sjellin lojtarë mesatarë nga jashtë, të cilët shpesh nuk janë as në nivelin e lojtarëve të akademive tona. Një shembull flagrant ishte ndeshja e fundit Superligës Tirana – Flamurtari: një skandal i pastër, me rreth 90% lojtarë të huaj në fushë. Flamurtari, një ekip me traditë e me bazë të pasur talentesh, kishte vetëm futbollistë “import” pa vlerë të shtuar.

Ky fenomen shkatërron motivimin e të rinjve shqiptarë, që nuk marrin dot minutazh e as besim. Ndërkohë, drejtuesit e klubeve bëjnë abuzime: blejnë lojtarë të panevojshëm për një repart ku mund të aktivizohej fare mirë një djalë i akademisë. Një lojtar i U19 apo U21, nëse merr hapësirë, rritet, forcon klubin dhe më pas shitet duke sjellë fitim. Kjo është formula e suksesshme që ndjekin vendet serioze.

Shpesh drejtuesit tanë thonë: “Po kështu bëhet në Itali e në shtete të mëdha”. Por Italia ka ekonomi, taban, bazë dhe traditë futbolli. Shqipëria nuk mund të ndjekë të njëjtin model. Në rajon, fqinjët tanë janë shumë më të kujdesshëm: Mali i Zi, Kosova, Greqia, Serbia lejojnë maksimumi 5 lojtarë të huaj në fushë. Vetëm ne kemi pranuar një ligj të gabuar, që i hap derën abuzimeve dhe e shuan interesin për akademitë.

Akademitë po mbeten pa vlerë, pa interes dhe pa qëllim. Talenti i rrallë që del, promovohet me pikatore dhe më pas humbet. Kjo është një humbje e madhe për futbollin kombëtar. Vendimi i FSHF-së duhet patjetër të rishikohet, nëse duam që futbolli shqiptar të ketë të ardhme.

Sigurisht, duhet pranuar se FSHF ka bërë punë të mira në disa drejtime: ndërtimi i infrastrukturës, përmirësimi i kushteve bazë dhe promovimi i kombëtares janë arritje për t’u vlerësuar. Por kur merret një vendim kaq i rëndësishëm për kampionatin, është e pafalshme të mos konsultohesh me specialistët e fushës. Ky vendim nuk sjell progres, por vetëm dëm.

Trajnerët nuk flasin publikisht për këtë shqetësim, sepse janë të punësuar nga presidentët e klubeve. Ata zgjedhin heshtjen për të mos humbur rrogën, edhe pse e dinë mirë që ky sistem është i gabuar. Kjo heshtje është bashkëfajësi.

Një tjetër problem është edhe formula e kampionatit. “Final Four”, ku katër ekipet e para përballen në fund, nuk është aspak e drejtë. Si mundet që një ekip që dominon gjithë vitin me 10 pikë diferencë, të vihet në rrezik nga vendi i katërt në dy ndeshje? Këto janë “çudira shqiptare”, që lindin nga tavolinat, servilizmi dhe mungesa e vizionit.

Unë uroj që sporti shqiptar të ecë në rrugën e duhur. Futbolli nuk duhet të fshihet pas politikës, e cila nuk ka asnjë projekt serioz për sportin. Në shumë qytete mungojnë fushat e futbollit për fëmijët, infrastrukturat sportive janë ende të pakta dhe pa standard. Ndërkohë që fqinjët e rajonit investojnë te rinia, ne merremi me ligje të gabuara që i hapin derën vetëm interesave të ngushta financiare.

Sporti ynë ka potencial të madh, por vetëm me vizion, me promovim të talenteve dhe me mbështetje për akademitë mund të ecë përpara. Koha është për reflektim dhe për vendime që mbrojnë të ardhmen e futbollit tonë.

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments