Shqipëria është vend paradoksesh në cdo fushë. Këto paradokse e kanë zanafillën në politikën e mbrapshtë të ish-presidentit dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, gjatë qeverisjes të të cilit njihen skandalet nga më të pabesueshmet. “Pamfleti” sjell në vëmendje të lexuesit një fenomen që nuk është i ri, por as i vjetër. Ka të bëjë me fondet grant që akordohen nga buxheti i shtetit për federatat sportive. Sa më masive dhe me rezultate të jetë një federatë, aq më shumë fonde akordohen për të.

Natyrisht, sportet elitare si peshëngritja e ndonjë tjetër, federatat e tyre, marrin më shumë fonde, sepse lidhen me pjesëmarrjet ndërkombëtare dhe grumbullimet e sportistëve herë pas here edhe jashtë vendit.

Natyrisht, ndarja jo e drejtë dhe shpesh abuzive, ku jepen më shumë fonde për ato federate që gjejnë “mikun”, ka qenë dhe është një element tmerrues për sportin, por kulmin ky abuzim dhe ky paradoks skandaloz arrin me shumë federata që marrin fond grant për organizimin e veprimtarive sportive më pak se rroga e sekretarit të federatës. Një sekretar i një federate “x”, ka një rrogë stabile që shkon në 700 mijë lekë të vjetra në muaj. Pra më shumë se 8 milionë lekë të vjetër në vit.

Sot në Shqipëri ka afro 30 federata sportive, nga të cilat gjysma marrin më pak se 8 milionë lekë të vjetër në vit për organizimin dhe menaxhimin e veprimtarive sportive. Nën Berishën kryeministër, doli dhe ky skandal i padëgjuar më parë, ku rroga e një sekretari federate është më e madhe se sa fondi i akorduar për veprimtaritë e një federate të caktuar. Federata të tilla si ajo e alpinizmit, radioamatorizmit, ping-pongut, tenisit etj, kanë marrë gjatë këtyre viteve fonde që në terma financiarë janë më pak se rroga vjetore e një sekretari federate.

Në asnjë vend tjetër të planetit nuk gjen një paradoks të tillë, ku rroga e sekretarit të federatës është më e madhe sesa fondi që akordohet nga shteti për këtë federatë që të bëjë aktivitetet e saj sportive. Që këtu del në pah marrëzia që Berisha e la trashëgim në sport dhe prej ku buron jo vetëm paaftësia, mungesa e veprimtarive sportive, por edhe rënia e aktiviteteve në tërësi dhe mungesa e theksuar e rezultateve. Një paradoks që ka marrë në qafë sportin në Shqipëri. Mos harrojmë, që sekretarët e federative janë në përqindjen më të madhe militant partiakë që shpesh nuk kanë lidhje me këtë punë, ndërsa marrin rrogën duke pritur mbarimin e orës së punës dhe kjo për cdo ditë të vitit e për vite të tëra. Edhe pse qeveria “Rama” ka pasur një qasje tjetër për sportin dhe në disa impiante të vendit është ndërhyrë, duke bërë punë të rëndësishme, marrëzinë berishiane me federatat sportive nuk ka mundur ta rregullojë. Ky është një paradoks shqiptar që po bren sportin nga dita në ditë. /Pamfleti.com