Tek Besëlidhja e kanë marrë “me turr”. Ardhja e presidentit Pjerin Fushaj në krye të klubit dhe emërimi i Elvis Plorit si trajner i kësaj skuadre, janë shoqëruar edhe firmat e para në kontratë nga futbollistë të njohur të cilët kanë preferuar t’i bashkohen këtij projekti.
Gazeta “Shkodra Sport” mëson se ndër futbollistët që kanë rënë dakord për të luajtur me Besëlidhjen në sezonin e ri janë edhe tre shkodranë të njohur, të cilët kanë një karrierë të mirë.
Kështu, mesfushori Abaz Karakaçi i është bashkuar projektit të Besëlidhjes duke i thënë “po” ofertës së trajnerit Plori për të qenë pjesë e skuadrës që ai do të drejtojë në sezonin e ri. Përpos tij, pjesë e lezhjanëve do të jetë edhe mbrojtësi Dritmir Beci. Ky i fundit në fakt pak ditë më parë u prezantua tek KF Shiroka, por duket se ka gjetur mirëkuptim me drejtuesit e saj për ta lënë të lirë dhe për të firmosur në Lezhë.
Dhe “surpriza” e firmave tek Besëlidhja padyshim që është Arsid Kruja. Futbollisti që deri para pak ditësh ishte pjesë e Vllaznisë, tashmë do të luajë në kategorinë e dytë sepse është bindur nga presidenti Fushaj për të qenë pjesë e skuadrës që ai do të sponsorizojë.
Në këtë mënyrë, me këta tre futbollistë të njohur, por edhe të tjerë që do të firmosin në ditët në vazhdim, Besëlidhja duket qartë se do të futet në kampionat me një objektiv të vetëm: Shpalljen kampion dhe ngjitjen një kategori më lart.(www.shkodrasport.com)