Nga Maringlen ZHIVANI
Sopoti dhe Tërbuni zhvilluan një ndeshje miqësore mjaft interesante dhe me dy tablo të ndryshme në dy pjesët e saj. Trajneri i pukjanëve Anxhelo Suta e filloi këtë ndeshje me Markun në portë, më pas në mbrojtje Zëre, Francis, Ibrahim dhe Dermaku. Në mesfushë Deliu, Grimci dhe Suarez, ndërsa në sulm Karaj, Ageja dhe Klenton.
Pjesa e parë foli për librazhdasit, të cilët falë golit të Qehajës arritën të shkojnë në pushim me avantazhin 1-0, duke e kontrolluar mirë takimin në 45 minutat e para. Mirëpo gjithçka ndryshoi pas pushimit. Pjesa e dytë solli në fushë një Tërbun shumë më agresiv dhe me fytyrë krejt tjetër.
Trajneri Suta hodhi në lojë emra si portieri Alla, Juan, Camara, Jezus dhe 19-vjeçarin kolumbian John Henry, të cilët sollën freski dhe ndryshuan rrjedhën e ndeshjes. Fillimisht ishte shtatlarti Karaj që barazoi shifrat, duke i dhënë besim pukjanëve.
Më pas spektakli u firmos nga talenti John Henry, i cili realizoi një tripletë të shkëlqyer, duke treguar cilësi, shpejtësi dhe instinkt të lindur goli. Me tre realizimet e tij, Tërbuni vulosi fitoren 1-4 në këtë miqësore, duke treguar se është një skuadër me shumë potencial.
Ky rezultat e bën Tërbunin një ekip për t’u pasur në vëmendje për kampionatin e këtij sezoni, ndërsa Sopoti i drejtuar nga trajneri Rrahman Hallaçi, megjithëse pati një pjesë të parë të mirë, nuk arriti të përballojë ritmin e lartë të miqve në 45 minutat e dyta.(www.shkodrasport.com)