Në këtë edicion të ri, Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur që të japë trofeun “Trajneri i muajit” për teknikët më të mirë të elitës së futbollit shqiptar. Një trofe që ka si synim të vlerësojë punën e secilit trajner në kampionatin elitë në Shqipëri.
Drejtoria teknike në FSHF ka përzgjedhur si trajnerin e muajit gusht teknikun e AF Elbasanit, Ivan Gvozdenoviç. Në dy javët e luajtura në muajin gusht, skuadra elbasanase ka arritur të fitojë një ndeshje kundër Flamurtarit dhe të barazojë me Egnatian.
Në një prononcim për fshf.org, trajneri Gvozdenoviç falënderon stafin dhe lojtarët dhe shprehet se nuk do ta fitonte këtë trofe pa ndihmën e tyre. ndër të tjera, ai vlerëson edhe punën e teknikëve të tjerë në kampionatin shqiptar.
“Jam pak i emocionuar. Dua të falënderoj FSHF-në, stafin tim dhe lojtarët. Sot nuk fitova unë, sot fituam të gjithë bashkë. Pa stafin dhe pa lojtarët e mi, edhe unë nuk do isha sot këtu. Jam shumë i kënaqur dhe i lumtur”.
Synon të tjerë trofe përgjatë vitit? “Do luftojmë fort dhe do besojmë, por në Shqipëri kemi shumë trajnerë të mirë, jo vetëm unë. Ndoshta unë isha edhe me fat për muajin gusht” – tha trajneri i AF Elbasanit, Ivan Gvozdenoviç për “fshf.org”.