Shumë prej skuadrave të kategorisë së dytë të futbollit shqiptar i kanë nisur përgatitjet, por tek Veleçiku një gjë e tillë ende nuk ka nisur. Gazeta “Shkodra Sport” ka kontaktuar me drejtues të kësaj skuadre dhe ka mësuar se është vendosur që stërvitja e ekipit të startojë të hënën e ardhshme, më 25 gusht.
Që do të thotë se koplikasit do të kenë një muaj kohë në dispozicion për t’u bërë gati për kampionatin e ri. Një kohë e mjaftueshme, por edhe jo megjithatë tek Veleçiku duket se edhe për sezonin që vjen nuk pritet të ketë pretendime serioze.
Objektivi do të jetë i njëjti: Qëndrimi në mesin e renditjes. Gazeta njëkohësisht mëson se nuk pritet të ketë ndryshime as në stafin teknik dhe në krye të kësaj skuadre do të jetë sërish i mirënjohur Besnik Duli.
Sa i takon përbërjes, Veleçiku i sezonit të ri mendohet të ketë të njëjtët futbollistë që mbyllën edhe sezonin e kaluar. Që do të thotë se baza e ekipit do të jenë lojtarët me përvojë, të cilëve do t’u bashkangjiten edhe disa djem të rinj.
Drejtuesit e Bashkisë Malësi e Madhe duket se nuk kanë ndër mend që të investojnë për të ndërtuar një Veleçik pretendent, edhe për vetë faktin se situata nuk ka ndryshuar as me terrenet sportive dhe për këtë arsye, edhe në sezonin e ri do të shohim të njëjtin ekip pa shumë ambicie dhe objektiva.(www.shkodrasport.com)