Vllaznia mundi Partizanin 2-0 në finalen e kampionatit dhe u shpall kampione për sezonin 2024-2025, ndërsa Apolonia ka triumfuar për të dytin vit radhazi në finalen e Kupës së Shqipërisë, pasi mposhti Egnatian me rezultatin e thellë 5-1.

Vajzat fierake dominuan ndeshjen në “Arenën e Demave”, duke mos e diskutuar në asnjë moment finalen.Apolonia shënoi 4 gola që në pjesën e parë me Tenutti De Souza (x2), Klea Hamonikajn dhe Ahlice Da Silvën.

Egnatia shënoi një gol në pjesën e dytë me Kejsi Pucën, ndërsa rezultatin final e vendosi Vanesa Levendi, që shënoi golin e pestë për Apoloninë.

Ndeshja u mbyll me fitoren e madhe të Apolonisë 5-1. Pas përfundimit të ndeshjes u organizua ceremonia e dorëzimit të medaljeve dhe trofeut të Kupës së Shqipërisë.

Specialisti i Departamentit të Garave në FSHF, Endi Hyka, i dorëzoi Kupën e Shqipërisë për vajza ekipit të Apolonisë.