Nga Maringlen ZHIVANI
Florenc Farruku do të jetë futbollisti i ri i Dinamos. Kryeqytetasit kanë bindur kapitenin e Burrelit për të veshur fanellën dinamovite. 23-vjeçari ishte në radarin e disa klubeve të Superiores, duke u bërë më i kërkuari i Kategorisë së Parë.
Në fakt, vetë Farruku, në një intervistë për “Shkodra Sport” përpara disa ditësh, deklaroi që është një tifoz i Vllaznisë dhe ndoshta e priste një ftesë nga drejtuesit kuqeblu për të luajtur në Shkodër.
Megjithatë, duket se te Vllaznia nuk e morën fare në konsideratë sulmuesin Farruku, i cili sezonin që u mbyll shënoi 16-gola me Burrelin dhe dhuroi edhe shtatë assiste. Tashmë, është Dinamo ajo që ka përfituar nga shërbimet e sulmuesit, duke e afruar Farrukun si futbollist të lirë.
Nga sa mësohet nga burime pranë futbollistit, ka qenë vetë trajneri Ilir Daja që ka këmbëngulur ta ketë me patjetër te Dinamo. Tashmë, me afrimin e Florenc Farrukut tek kryeqytetasit shtohen alternativat në sulm para Europës, aty ku Dinamo do të përfaqësohet në Conference League.