Volejbollistja e talentuar shkodrane, Xhesika Kaçi, ka rinovuar edhe për një vit tek ekipi i vajzave të Partizanit.
Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, libero e skuadrës së kuqe shfaqet e lumtur që do të vazhdojë të mbrojë ngjyrat e Partizanit, duke theksuar se objektivi mbetet fitimi i titullit kampion:
“Jam shumë e lumtur dhe e gëzuar që do të vazhdoj të jem pjesë e ekipit të madh të Partizanit. Pas një sezoni shumë të mirë, kam vendosur të rinovoj dhe për një vit kontratën me klubin kryeqytetas. Kampionatin e kaluar kemi zënë vendin e katërt dhe mund të ishim më lart në renditje. Mendoj që këtë sezon të ri do të jemi më ndryshe dhe do synojmë të shpallemi kampionë”, shprehet fillimisht 22-vjeçarja, e cila më pas shton:
“Ndihem komod në këtë skuadër që ka drejtues shumë të mirë dhe jemi një grup i mirë vajzash. Do vazhdoj të jap më të mirën time për ekipin, që do jetë edhe më i fortë këtë kampionat. Shumë shpejt do fillojmë përgatitjet për sezonin, i cili do të jetë i vështirë si gjithmonë. Megjithatë, ne nuk i trembemi asnjë skuadre, edhe pse rivaliteti do të jetë i lartë”, përfundon Xhesika Kaçi.