Fillimi i këtij sezoni, ecuria e Vllaznisë, ndryshimet e kuqebluve apo edhe ndeshja e radhës kundër Partizanit kanë qenë disa nga temat për të cilat ka folur Altin Xhahysa për “Panorama Sport”. Ish-kampioni i vendit ka analizuar situatën te kuqeblutë momentalisht, duke theksuar se skuadra është ende duke gjetur “kiminë” e duhur dhe përshtatjen e futbollistëve të ardhur gjatë merkatos.
Sipas ish-sulmuesit, Vllaznia ka ndërtuar një ekip shumë të fortë këtë sezon, por një gjë e tillë duhet reflektuar edhe në fushën e lojës. Teksa për ndeshjen e radhës ndaj Partizanit në kampionat është shumë optimist se 9 herë kampionët e vendit do të marrin një rezultat pozitiv.
Xhahysa, si e keni parë këtë fillim sezoni te Vllaznia?
Do ta cilësoja një fillim normal i sezonit, skuadra ende nuk ka “ngrohur” motorët siç duhet dhe patjetër mund të ketë edhe ndonjë “luhatje”. Momentalisht i shikoj të parëndësishme “ndalesat” që mund të ketë ekipi, pasi e rëndësishme është të mësosh nga gabimet. Në mënyrë që të reflektosh dhe pastaj përmirësosh në fushën e lojës. Them se skuadra do të vijë në ngritje nga java në javë dhe nga ndeshja në ndeshje dhe për këtë kam një bindje. Kjo bindje më vjen nga cilësia dhe eksperienca që kanë shumica e futbollistëve që këtë edicion kanë në përbërje kuqeblutë.
Ka ndryshuar diçka te shkodranët?
E para ka ndryshuar vendosja në fushë e skuadrës, them këtu skema, pavarësisht se ajo ka gjithmonë vend për interpretim dhe jo çdo herë është ashtu siç shkruhet në letër apo protokoll. Kështu skuadra po “adaptohet” me vendosjen me 3 prapa në mbrojtje, pavarësisht se ekipi di të luajë shumë mirë edhe me 4 mbrojtës. Po ashtu do të thosha shoh disi më grintë dhe luftë sportive në fushën e lojës, diçka që ndoshta i mungonte Vllaznisë gjatë sezonit të shkuar. Dhe ky është një fakt shumë i rëndësishëm, pasi jo vetëm cilësitë t’i fitojnë ndeshjet, shpesh duhet edhe zemra.
Çfarë duhet të presim më tepër nga kjo skuadër?
Personalisht pres lojë sulmuese, në momentin që skuadra të kolaudohet totalisht. Kjo sepse potenciali është i tillë dhe Vllaznia duhet të hyjë për të dominuar në fushën e lojës dhe këtë e kam vërejtur edhe në deklaratat e trajnerit apo futbollistëve. Të cilët këtë sezon kanë një mentalitet me të vërtetë fitues ashtu siç e kërkon historia e klubit, por gjithmonë me këmbë në tokë. Llogaritë bëhen javë pas jave dhe po ashtu gjithmonë edhe me kundërshtarin që ke përballë. Pavarësisht them se Vllaznia ka aftësinë të mposhtë këdo në Superiore këtë edicion.
Janë afruar besoj elementët e duhur në merkato, do të arrijnë ta bëjnë diferencën?
Po, është e vërtetë dhe ata duhet ta bëjnë medoemos diferencën. Klubi ka sakrifikuar për ta dhe janë marrë futbollistë që duhet ta udhëheqin skuadrën drejt sukseseve. Patjetër duhet pak kohë që të përshtaten totalisht me ekipin, por besoj se në dy – tre javët e ardhshme duhet të shohim potencialin e plotë të emrave si Kallaku apo Kastrati. Pasi nga ta pritet të bëhet diferenca sidomos në pjesën e sulmit dhe organizimit të lojës së skuadrës.
Sa pretendente është kjo Vllazni në syrin tënd?
Siç e përmenda më sipër, Vllazninë e shoh të aftë të mposhtë çdo kundërshtar në Superiore këtë edicion. Pra, kjo e bën automatikisht ndoshta pretendenten kryesore në syrin tim. Kështu që skuadra duhet të jetë e gatshme dhe po ashtu të qëndrojë larg presionit. Pavarësisht se investimet, historia, futbollistët e kërkojnë dhe tregojnë qartë objektivin e Vllaznisë, që mendoj se duhet të jetë titulli kampion. Megjithëse gjithçka do të vijë duke u “kristalizuar” me kalimin e kohës, ku objektivat dhe synimet e ekipit do të jenë më të qarta.
Ndeshja e radhës me Partizanin, e vështirë për kuqeblutë?
Një duel ndaj një rivali direkt do e theksoja, pasi të kuqtë, Dinamo dhe Egnatia do të jenë sërish rivalët e Vllaznisë edhe këtë edicionin në opinionin tim. Është një ndeshje për t’u shijuar dhe shikuar një Vllazni reale, përpara tifozëve të saj. Nuk mendoj se do të ndikonte ndonjë rezultat negativ, ndoshta vetëm psikologjikisht. Por, kam një bindje se Vllaznia ia del me sukses të shtunën dhe do të arrijë të “korrë” fitore ndaj kryeqytetasve.