Xhudistja e Vllaznisë Kasandra Kovaçi ka bërë një paraqitje të mirë në garat e Kampionatit Ballkanik dhe si rrjedhojë ka arritur të zërë vendin e tretë në peshën -63 kg duke merituar në këtë mënyrë edhe medaljen e bronztë të këtij aktiviteti të rëndësishëm.
Garat e Kampionatit Ballkanik janë zhvilluar ditën e djeshme në Pejë të Kosovës dhe padyshim që medalja e bronztë e Kasandrës është një shpërblim për punën e madhe dhe shumëvjeçare që ajo ka bërë çdo ditë në stërvitje.
Në këtë event kanë marrë pjesë edhe dy sportistë të tjerë të ekipit të Vllaznisë, Krista Kovaçi (pesha -63 kg) dhe Demian Çuni (pesha -90 kg) të cilët kanë arritur të fitojnë nga një ndeshje dhe ta kalojnë turin e parë, por pa arritur dot të futen në zonën e medaljeve.
Duhet thënë se motrat Kovaçi prej më shumë se një viti stërviten në Pejë nën drejtimin e trajnerit të mirënjohur Driton Kuka dhe niveli i tyre ka ardhur duke u rritur.
Megjithatë formimin e tyre profesional ata e kanë tek ekipi i Vllaznisë nën drejtimin e të mirënjohurit Anton Shkoza dhe ato vazhdojnë ta përfaqësojnë ekipin shkodran në të gjitha aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare.(www.shkodrasport.com)
