Tirana ka prezantuar trajnerin e ri, fjala është për Roberto Bordini. Ai vjen te kryeqytetasit bashkë me stafin e tij. Pak orë pas largimit të Vangjel Miles, ka ardhur edhe “rrokada” në pankinën e bardhebluve. Detyrat e trajnerit italianë në “timonin” e Tiranës nuk do jenë aspak të lehta, kapërcimin e krizës dhe më pas “urinë” për kreun:
“Klubi i Futbollit Tirana njofton arritjen e marrëveshjes me trajnerin Roberto Bordin. Pas bisedimeve mes palëve, është vendosur që të nisë një bashkëpunim i ri. Bordin është një emër i njohur në futbollin italian dhe ndërkombëtar, me përvojë të gjerë si trajner. Ai ka drejtuar ekipe si Sheriff Tiraspol, Neftçi Baku, Triestina, si dhe Kombëtaren e Moldavisë. I urojmë trajnerit mirëseardhje dhe suksese në vazhdimësinë e punës së tij nën stemën bardheblu.
KF Tirana njofton gjithashtu arritjen e marrëveshjes me zëvendës trajnerin Marco Veronese. Pas bisedimeve mes palëve, është vendosur që ai të bëhet pjesë e stafit teknik të drejtuar nga trajneri Roberto Bordin. Veronese sjell me vete një përvojë të gjatë si lojtar dhe trajner.
Në karrierën e tij si trajner, ka qenë pjesë e projekteve serioze në Itali, ndërsa në nivel ndërkombëtar ka shërbyer edhe si zëvendës trajner i Kombëtares shqiptare gjatë periudhës së suksesshme nën drejtimin e Gianni De Biasi, çka e bën njohës të mirë të realitetit të futbollit shqiptar. E mirëpresim Veronese dhe i urojmë suksese në punën e tij me ekipin bardheblu!”.