Tek Besëlidhja e kanë marrë shumë seriozisht ndërtimin e skuadrës për sezonin e ri. Presidenti Pjerin Fushaj dhe drejtuesit e Bashkisës duken shumë të vendosur për ta rikthyer këtë skuadër sa më shpejt aty ku i takon të jetë. Dhe gjëja e parë që duhet të bëjnë për këtë gjë është fillimisht ngjitja e saj në kategorinë e parë.
Ndoshta shumëkush mendon se kjo është e lehtë, por jo. Pikërisht për këtë arsye, drejtori Malota dhe trajneri Plori janë duke siguruar lojtarë me përvojë dhe firma e rradhës është e një tjetër futbollisti me një CV të shkëlqyer.
Pas Arsid Krujës që vjen pas largimit pak kohë më parë nga Vllaznia, këtë herë drejtuesit lezhjanë kanë siguruar firmën e një tjetër futbollisti të Superiores. Bëhet fjalë për elbasanasin Ardit Hila.
Pas problemeve që pati sezonin e kaluar me drejtuesit e Elbasanit, në janar ai u huazua tek ekipi Prishtina e Re në Kosovë, ndërsa tani ka zgjedhur t’i bashkohet projektit të Besëlidhjes. Me përvojën e tij të madhe ai do të jetë një garanci për mesfushën lezhjane.
Kujtojmë që Ardit Hila në karrierën e tij sportive ka luajtur përveçse me Elbasanin, edhe me Teutën, Partizanin, Prishtinën, Gjilanin, Kukësin e Tiranën. Tashmë tek Besëlidhja do të tregojë se karriera e tij ende nuk ka përfunduar dhe aftësitë e tij do t’i shfaqë në mënyrën më të mirë të mundshme për ta ndihmuar në arritjen e objektivva të saj.(www.shkodrasport.com)