HomeKRYESORE'Majat e Ballkanit', gara e rrallë që nis javën e ardhshme nga...

‘Majat e Ballkanit’, gara e rrallë që nis javën e ardhshme nga Thethi dhe që është 200 km e gjatë!

Nga Gjon GJEKA

Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi do të jenë tre shtetet në të cilat do të zhvillohet një nga garat më të gjata dhe më të rralla që zhvillohen në sportin e vrapimit në natyrë. E organizuar nga kompania “Globan Limitis”, kjo garë do të startojë më datë 13 shtator tek Kisha e Thethit dhe pjesmarrësit do të vijojnë vrapimin fillimisht drejt Malit të Zi, më pas në Kosovë dhe për ta mbyllur garën më 19 shtator po tek Kisha e Thethit. Në të do të marrin pjesë sportistë dhe pasionantë të sportit nga vende të ndryshme të Botës.

“Global Limits” është themeluar në vitin 2012 nga gjermani Stefan Betzelt dhe çdo vit ajo organizon gara në vende të ndryshme të Botës. Janë gara mbi 200 kilometra dhe që zhvillohen nëpër terrene të thyera malore, me idenë për të gjetur shtigje dhe vende të reja.

Këtë herë kjo kompani ka zgjedhur Shqipërinë si startin e saj. Gara është emërtuar “Majat e Ballkanit” (Peaks of the Balkans) sepse sportistët do të vrapojnë dhe do të ngjisin majat e larta të këtyre tre vendeve të Ballkanit.

Ajo do të jetë e gjatë 200 kilometra dhe ajo do të ketë 6 etapa, pas së cilës do të ketë një ndalesë për ushqyerje dhe fjetje. E veçanta e kësaj gare është se lartësia e saj do të vijë në rritje, deri në 12 400 metra lartësi. Kjo është një garë që kombinon sfidën fizike me zhytjen në kulturë dhe bukurinë natyrore të paprekur.

Këtë herë do të startojë nga Shkodra. Aktiviteti fillon pikërisht aty me një ceremoni që do të zhvillohet më 12 shtator në ora 19:30 në Hotel “Tradita”. Një ditë më pas, pjesmarrësit do të zhvendosen në Theth nga ku do të fillojë gara për të përshkuar majat e ballkanit.

Një aktivitet i rrallë që padyshim është shumë i veçantë dhe ne jemi në pritje të “Mbretit’ apo “Mbretëreshës” së Ballkanit, atij ose asaj që do të rezultojnë më të fortët dhe më të përgatiturit në këtë rrugëtim të gjatë dhe shumë të vështirë. Gazeta “Shkodra Sport” do të jetë partneri mediatik i këtij aktiviteti dhe do të pasqyrojë gjithçka do të ndodhë në të.

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments