Basania po vijon me përgatitjet për startin e sezonit të ri dhe skuadra duket se është plotësuar me lojtarët e duhur. Ajo që vërehet është se presidenti Shimaj dhe drejtori Hasanaj kryesisht janë bazuar tek elementi i ri, kuptohet duke u gërshetuar me disa elementë me përvojë që janë në skuadër.
Por e veçanta e këtij sezoni është marrja e disa lojtarëve nga Akademia Vllaznia. Këto të fundit deri sezonin e kaluar kanë qenë pjesë e ekipit U19 të saj, por mungesa e hapësirave tek Vllaznia ka bërë që ata të mendojnë për të gjetur një skuadër tjetër dhe si rrjedhojë destinacioni më i mirë për ta ka qenë Basania.
Për momentin janë tre futbollistë të cilët sezonin e kaluar kanë qenë pjesë e Vllaznia U19, të cilët tashmë po stërviten dhe do të jenë pjesë e Basanias. Bëhet fjalë për mbrojtësin e majtë Jozef Marashi si dhe dy mesfushorët e qendrës, Hazret Shimaj dhe Ergis Çelepija.
Prania e tyre tek skuadra e Basanias në këto momente kur ajo drejtohet nga një emër si Dervish Haxhiosmanoviç, i cili e pëlqen punën me elementin e ri, do të jetë një shans më shumë që ata të tregojnë vlerat e tyre dhe të jenë një pikë referimi për lojën e kësaj skuadre.
Në këtë mënyrë konfirmohet edhe njëherë fakti se prania e disa skuadrave në Shkodër dhe rrethinat e saj, është një mundësi e mirë për të gjithë futbollistët që nuk gjejnë hapësirat e duhura tek Vllaznia. E mira mbase do të ishte që njëri prej këtyre ekipeve të ishte edhe në kategorinë e parë dhe mbase sivjet kjo do të jetë një mundësi e mirë për këto ekipe.(www.shkodrasport.com)