U mendua se do të ishte pjesë e “Vllaznia B” në sezonin e ri ngaqë prej kohësh stërvitet me të, por në fund ka ndryshuar mendje. E kemi fjalën për mesfushorin shkodra Eglond Zymeri.
Prej pak ditësh ai ka dalë në stërvitje me ekipin e Veleçikut dhe siç raporton gazetari Bashkim Ramekaj, 20 vjeçari do të jetë pjesë e tij për sezonin e ri futbollistik ngaqë ka rënë dakord për gjithçka me drejtuesit koplikas.
Në këtë mënyrë trajneri Duli do të ketë një element më shumë në dispozicion. Duhet thënë se situata tek kjo skuadër nuk ka qenë e mirë sepse edhe kontigjenti i lojtarëve është i reduktuar, por me kalimin e ditëve gjërat pritet të marrin rrjedhë tjetër dhe skuadra gradualisht do të plotësohet.
Si rrjedhojë Zymeri është i pari që i bashkohet Veleçikut. Ai vjen në Koplik pas përvojës së sezonit të kaluar, fillimisht tek Gramozi i Ersekës dhe më pas tek Butrinti i Sarandës, skuadër me të cilin luajti deri në fund të kampionatit.
Por sakaq bëhet e ditur se pas Zymerit, me Veleçikun në ditët në vijim do të bashkohen edhe dy futbollistë të tjerë shkodranë. Bëhet fjalë për Elvis Laçeja dhe Klesti Troshani, futbollistë këto që sezonin e kaluar kanë qenë pjesë e ekipit të Tërbunit të Pukës.(www.shkodrasport.com)