Skuadra e Basanias në kuadrin e përgatitjeve për sezonin e ri, vijon me ndeshjet miqësore. Pas atyre me Vllaznia U19 dhe Vllaznia B, sot ka luajtur një tjetër ndeshje dhe këtë herë ka patur përballë ekipin Shkodra U19. Ajo është luajtur në fushën sportive të Shtojit dhe i ka shërbyer jo pak trajnerit Haxhiosmanoviç.
Kjo miqësore është mbyllur me fitoren me rezultatin 3-2 në favor të Basanias, e cila në fakt sot nuk ka qenë e plotë pasi disa prej lojtarëve më të rëndësishëm të saj si Leka, Shema, Elbasani, Gjini e ndonjë tjetër nuk kanë luajtur. Megjithatë duhet thënë se pjesa e parë ka qenë e dominuar totalisht prej saj dhe si rrjedhojë ka arritur të shënojë 3 gola në këtë 45 minutësh.
Protagonist kryesor i tyre ka qenë sulmuesi Kristian Toma i cili ka shënuar dy prej këtyre golave, ndërsa tjetri mban firmën e mbrojtësit Jozef Marashi. Pjesa e parë në këtë mënyrë është mbyllur me avantazhin 3-0 në favor të Basanias.
Në pjesën e dytë, trajneri Dervish Haxhiosmanoviç ka aktivizuar shumë lojtarë të rinj dhe kuptohet që niveli i lojës ka rënë, çka është shfrytëzuar nga ekipi Shkodra U19 që shënoi dy gola njëri pas tjetrit në minutat e fundit me anë të futbollistit Elison Vulaj dhe në këtë mënyrë i gjithë takimi është mbyllur me shifrat 3-2 në favor të skuadrës së kategorisë të dytë.
Drejtuesit e saj janë duke parë mundësinë që në javën e ardhshme të zhvillojnë edhe një apo dy miqësore të fundit, të cilat do ta ndihmojnë stafin teknik për konsolidimin e formacionit në prag të ndeshjes së parë të kampionatit që do të luhet më 27 shtator në Bushat ndaj ekipit të Besëlidhjes.(www.shkodrasport.com)