Basania ka disa ditë që ka nisur përgatitjet nën drejtimin e trajnerit Dervish Haxhiosmanoviç dhe ndihmësve të tij Erjon Mani dhe Mario Kola dhe grupi i lojtarëve në dispozicion të tyre duket i plotë. Kuptohet që ka jo pak ndryshime nga sezoni i kaluar teksa janë larguar disa lojtarë dhe kanë ardhur të tjerë.
Një nga më të rëndësishmit që i është bashkuar ekipit në stërvitje është mesfushori Klaudio Leka. Në dy sezonet e fundit ai ka qenë pjesë e Tërbunit, ndërsa sivjet ka vendosur t’i bashkohet Basanias, nisur edhe projekti që ka presidenti Ermir Shimaj për të ndërtuar një skuadër konkurruese.
24 vjeçari me një përvojë të konsiderueshme në futbollin shqiptar pritet të jetë lideri i mesfushës dhe ardhja e tij ka ngrohur edhe stafin teknik. Kujtojmë që Leka fillimisht ka qenë pjesë e Akademisë Vllaznia, më pas luajti me “Vllaznia B” dhe “Vllaznia U21”, para se të kalonte në Kosovë tek Liria e Prizenit.
Një sezon e gjysëm atje, para se të rikthehej për t’iu bashkuar Tërbunit ndërsa tashmë do ta shkruajë me një tjetër skuadër të kategorisë së dytë të futbollit shqiptar: Basania FC.
Kuptohet që ai ka shumë për t’i dhënë kësaj skuadre dhe trajneri Haxhiosmanoviç pritet t’i besojë atij “çelësat” e mesfushës. Një përgjegjësi që Klaudio e ka mirëpritur dhe ai shpreson të bëjë më të mirën me skuadrën e tij të re.(www.shkodrasport.com)