Nga Maringlen ZHIVANI
Tërbuni ka hedhur hapat e parë në merkato, duke zyrtarizuar plot 8 afrime e rinovime në skuadër. Pukjanët kanë blinduar repartin e mbrojtjes dhe portës, duke prezantuar emra të njohur të futbollit shqiptar dhe disa talente premtues. Kështu, është afruar Klevis Lushaku, një ish-lojtar i Kastriotit, Teutës, Vushtrisë në Kosovë dhe Vorës.
Ai është 24-vjeç dhe luan si mbrojtës qendre. Dejan Andoni është afrimi i rradhës, teksa 29-vjeçari vjen pas eksperiencave te Lushnja, Korabi dhe Apolonia. Ai luan si mesfushor qendre. 20-vjeçari Islam Deliu është një tjetër afrim. Më parë, ka luajtur me Besën dhe Tomorin, teksa bëhet fjalë për një mesfushor qendre.
21-vjeçari Elsamed Burgaj, i cili luan qendërmbrojtës, ka firmosur edhe ai me Tërbunin. Ai vjen nga një e shkuar me Dinamon, Kastriotin dhe Luzin në Kategorinë e Parë. Edhe kolumbiani 23-vjeçar Samir Bustamante, ka firmosur për Tërbunin. Ai vjen nga Apolonia dhe luan si mbrojtës krahu.
Ndërkohë, për pukjanët kanë firmosur edhe dy portierët Brajan Marku dhe Manuel Alla. I pari është 21-vjeç, teksa më parë ka qenë pjesë e Valbonës dhe Korabit. Ndërkohë, i dyti është një portier me eksperiencë, pavarësisht moshës së re, teksa më parë ka luajtur te Elbasani, Burreli dhe Korabi.
Nga ana tjetër, me Tërbunin ka rinovuar sërish mbrojtësi i qendrës, 20-vjeçari Marindis Zëre, i cili ishte edhe sezonin e kaluar pjesë e pukjanëve. Me këto lëvizje, Tërbuni tregon se po ndërton një skuadër konkurruese për sezonin e ri, duke kombinuar përvojën me energjinë e lojtarëve të rinj.(www.shkodrasport.com)