Vllaznia e futbollit të femrave prej paj ditësh ka nisur përgatitjet për ndeshjet e Kupave të Europës që do t’i luajë në fundin e muajit gusht në Shkodër. Por ndërkohë, pikërisht për t’i paraprirë këtyre ndeshje zyrtare, stafi teknik dhe drejtuesit e klubit kanë menduar të organizojnë edhe disa miqësore që do të shërbejnë për kolaudimin sa më të mirë të skuadrës.

Dhe e para është luajtur ditën e djeshme në Podgoricë ndaj kampiones së Malit të Zi, Buduçnostit. Kjo e fundit merr pjesë po ashtu në ndeshjet e Ligës së Kampioneve, por në ndryshim nga Vllaznia që do e nisë nga turi i dytë, ajo do të startojë nga turi i parë.

Dhe si rrjedhojë Buduçnosti ka kohë që ka nisur përgatitjet dhe është shumë më përpara se Vllaznia e kjo deri diku është parë në fushën e lojës, megjithatë Vllaznia u mundua të bënte më të mirën dhe pavarësisht se skuadrat nuk kanë qenë në pozita të barabarta, sërish në fushën e lojës vajzat shkodrane kanë treguar vlerat e tyre më të mira, paçka se nuk arritën të fitojnë dhe gjithçka u mbyll në shifrat e barabarta 0-0.

Duhet thënë se tek Vllaznia kanë ardhur disa lojtare të reja dhe të tjera do të vijnë në ditët e ardhshme, e kjo ka bërë që edhe formacioni të mos jetë ende i kolauduar dhe po ashtu edhe mënyra e të luajturit. Megjithatë deri tek ndeshjet europiane është edhe një muaj kohë dhe sigurisht që skuadra do të përmirësohet shumë deri atëherë.

Siç e dimë, Vllaznia do të luajë në grupin 4 dhe në gjysmëfinalen e këtij grupi më 27 gusht do të ndeshet në “Loro Boriçi” me skuadrën bjelloruse FC Dinamo BSUPC. Në rast fitoreje, ekipi shkodran do të luajë pastaj më 30 gusht ndaj fitueses së çiftit Ferencvarosh- E para e grupit 1.

Stafi i Vllaznisë është duke planifikuar të zhvillojë edhe të paktën 3-4 miqësore të tjera me skuadra të ndryshme të cilat do ta ndihmojë shumë në prag të sfidave të rëndësishme europiane. (www.shkodrasport.com)